Kuvendi dhe qeveria do të formohen shpejt posa të certifikohen zgjedhjet e 28 dhjetorit, thotë deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci. Sipas tij, certifikimit të zgjedhjeve do t’i hapet rruga institucioneve të reja për, siç thotë, domosdoshmërinë e miratimit të buxhetit për vitin 2026.
Ai deklaron se vetëm pas konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë dhe miratimit të buxhetit, do të vijë radha e zgjedhjes së presidentit të vendit.
“Jam i bindur që kemi nevojë për urgjencë për shkak se kemi nevojë ta miratojmë buxhetin e Republikës së Kosovës. Janë ditët e fundit, ju e dini që vetëm edhe muaji shkurt mund të jepen pagat në të gjithë sektorin publik, 85 mijë qytetarë të cilët janë në këtë sektor. Andaj është urgjencë që sa më shpejt të miratohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026… Ne i kemi fituar zgjedhjet dhe me një fitore shumë të thellë, të paparë në historinë e Republikës së Kosovës deri më sot. Kështu që Kuvendi i Republikës së Kosovës, por edhe Qeveria e Kosovës, i ka numrat për themelim. Pra, do të themelohen shumë shpejt institucionet e Republikës së Kosovës, duke filluar nga trupat e Kuvendit e deri te qeveria”, deklaron ai.
Ani pse nuk deklarohet nëse mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë në krye të vendit, Bajqinovci kërkon nga partitë opozitare, siç thotë ai, të kenë mirëkuptim për ta tejkaluar sfidën e zgjedhjes së presidentit dhe të mos ketë kriza të reja politike.
“Faza e parë është konstituimi i Kuvendit. Faza e dytë është krijimi i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe faza shumë e rëndësishme pas kësaj është miratimi i buxhetit të Republikës së Kosovës, sepse është duke shkuar në kolaps. Por mendoj që kjo fazë, e cila përmendet për presidentin, është e fundit ajo. Në mars, që përmendet data katër, apo nëse nuk gaboj katër. Është herët të flasim, por po shpresoj që partitë opozitare do të reflektojnë dhe do të ketë mirëkuptim që të mos bëhet sikurse në të kaluarën. Ju e patë, 11 muaj e bllokuan Kuvendin e Republikës së Kosovës, por edhe krijimin e qeverisë Kurti, por edhe krijimin e qeverisë Konjufca, por edhe ashtu për zonjën Albulena Haxhiu. Por do të kalojmë dhe mos të kemi telashe apo bllokadë apo shkuarjen në zgjedhje, por do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, thekson Bajqinovci për KP.
Duke folur për dëmtimin e procesit zgjedhor me rastin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ai thotë se rinumërimi dëshmi dallaveret e votave dhe defektet e procesit, por assesi që procesi zgjedhor të përsëritet.
“Unë mendoj që nuk do të duhet të jetë, për shkak se kanë qenë zgjedhje shumë demokratike, shumë fer. Ka pasur defekte brenda partive politike, të cilat tashmë janë publike, por me to janë duke u marrë organet e sigurisë dhe të drejtësisë. Dhe rinumërimi ka treguar që ka defekte, por Lëvizja Vetëvendosje është dhe ka qenë fuqishëm kundër që të ketë ndonjë manipulim ose diçka tjetër. Për çdogjë janë organet e drejtësisë të cilat duhet të merren deri në fund me këtë. Për çështjen se a duhet zgjedhje të reja, ato janë vetëm supozime, sepse zgjedhjet kanë qenë shumë demokratike”, shton Bajqinovci.
Sipas tij, në legjislaturën e ardhshme duhet të amandamentohet Ligji për Zgjedhjet për t’i korrigjuar të gjitha parregullsitë që janë evidentuar në procesin e rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë.
“Defektet brenda partive i kemi parë, por mendoj që këto duhet të përmirësohen në vazhdim. Ndoshta ka nevojë edhe ligjin ta amandamentojmë apo të ketë edhe diçka tjetër shtesë. Por unë mendoj që organet e drejtësisë janë duke kryer punën e vet dhe zgjedhjet kanë qenë shumë demokratike. Nuk ka pasur mes partive politike ndonjë defekt. Defektet kanë qenë brenda, por rinumërimi është bërë dhe me këtë rinumërim kanë dalë në pah defekte të cilat po i vëren edhe KQZ-ja dhe po shihet se ndoshta ka nevojë edhe për ndonjë ndryshim të ri”, përfundoi ai.




