Pa rregullsitë në listën e çmimeve të barnave, pranimi i çmimeve të deklaruara pa CIP (Certified Insurance Professional), depoja farmaceutike e Ministrisë së Shëndetësisë, ishin temat kryesore për të cilat u diskutua sot në Komisionin për Shëndetësi, ku ministri Arben Vitia po mbante takim me anëtarët e komisionit.
Anëtarë të komisionit nga partitë opozitare patën disa pyetje dhe kritika lidhur me listën zyrtare të çmimit të barnave, e cila u anulua para pak kohësh.
Lidhur me këto, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u zotua se çmimet e barnave do të jenë më të ulëta sesa janë aktualisht. Ai garantoi se nuk do të ketë vend për manipulime në listën zyrtare të çmimeve.
“Unë e kam nënshkruar një listë të cilën e ka propozuar komisioni. Ka qenë një listë e cila në bazë të komisionit më është dhënë mua dhe apo nënshkrimit natyrshëm ju i bëtë disa kalkulime…Si një ligj shumë i rëndësishëm që përcakton të ardhmen stabilizimet e tregut farmaceutik, nuk është se nuk kam pritur probleme, telashe teknike dhe logjistike, por jo vetëm gjatë këtij procesi. Por, natyrisht me organet e tjera të emëruara e komisionet e tjera, edhe unë vetë do të kujdesemi që kur të hyjë në zbatim ky ligj, absolutisht çmimet e barnave do të jenë më të ulëta sesa janë sot dhe do të jena të unifikuara në tërë territorin e Kosovës. Por, përgjegjësia për komisionin është e imja, po përgjegjësia për listën kur do të fillojë të aplikohet do të jetë e imja…Unë iu garantoj që nuk do të ketë dhe as nuk ka qasje për manipulime dhe nuk do të ketë as rritje të çmimit të barnave”, potencoi Vitia.
Kështu deklaroi Vitia pasi u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu lidhur me çmimet e barnave, për të cilat tha se është vërejtur të ketë rritje shumëfish.
Haxhiu potencoi se sipas analizave të bëra, rezulton se ka ngritje prej 100 për qind në disa artikuj.
Përveç kësaj, Haxhiu iu drejtua ministrit Vitia duke e pyetur se si është e mundshme që të pranohen çmimet e deklaruara pa CIP.
Certified Insurance Professional është një certifikim i njohur në fushën e sigurimeve, i cili ofrohet nga Insurance Institute of America (IIA). Ky certifikim vërteton njohuritë dhe aftësitë në industrinë e sigurimeve dhe është shpërndarë nëpër disa nivele të ndryshme, duke filluar nga themeluesi (Foundation) deri në nivelet më të avancuara.
Ai hodhi dyshime duke pyetur ministrin se si është e mundur që prej 60 milionë eurove të dedikuara për barna nga lista esenciale, vetëm një kompani të përfitojë 20 milionë euro.
“Sipas informacioneve që i kemi ajo depoja që është tek pallati i shtypit, reshjet e fundit të shiut, është fundosur nga uji, ka pasur vërshime. Na intereson të dijmë sa është dëmi dhe pse ruhen barnat në një depo ku depërton uji. Ku dihen kriteret cilat janë për një depo farmaceutike…Si është e mundur që prej 60 milionë eurove të dedikuara për barna nga lista esenciale, vetëm një kompani të përfitojë 20 milionë euro…Dhe e njëjta kompani të jetë nënshkrues, kontraktues i disa kontratave një burimore në vlera milionëshe brenda ministrisë së shëndetësisë?”, u shpreh Haxhiu.
Lidhur me këto pyetje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se nuk është informuar se janë shkaktuar dëme nË depon farmaceutike nga reshjet e shiut.
Sa i përket blerjes nga lista e barnave esenciale, Vitia potencoi se procedurat e blerjes së barnave janë në vazhdimësi dhe se sipas tij, nuk mund të lihen pacientët pa barna derisa të fillojë zbatimi i ligjit.
“Sa i përket depos, pajtohem plotësisht juve, unë kam qenë i zëshëm që nga viti 2009-2010 për mënyrën se si janë ruajtur barnat dhe në asnjë depo deri tani nuk i ka plotësuar as kushtet për ruajtjen e barnave. Për këtë arsye menjëherë në fillim të vitit të kaluar bashkë me AKPN-në kemi filluar bisedimet për transferimin e një objekti në Ministri të Shëndetësisë që të fillojmë me investimet. Fatkeqësisht, aty ka dalë një pronë private e cila e ka prolonguar pak procesin sepse është dashur që të bëhet zhvlerësimi, dhe në një nga mbledhjet e kaluara që QK ka mbaruar edhe ky proces dhe tani jemi në procedura për investime në barnatore qendrore…Për vërshimet që thatë ju, për korrektësi unë nuk kam pasur lajmërim që është fundosur nga uji, apo ka shkaktuar dëme”, tha Vitia.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se pavarësisht kërkesave nuk u është dërguar lista e anëtarëve të komisionit për listën zyrtare të çmimeve të barnave. Mos dërgimi i emrave të anëtarëve të komisionit, sipas Zemajt, është për të dyshuar.
Ai tha se Vitia se ka neglizhuar procesin lidhur me Ligjin për vendosjen e tavanit të çmimeve të barnave.
Sipas Zemajt, Kurti është dashur të merr masa ndaj Vitisë për këto çështje.
“Ne nuk e kemi parë listën e anëtareve të komisionit, nuk i kemi parë as ata të cilët janë ndërruar. Ne nuk i kemi parë as listën e anëtarëve të komisionit të ankesave. Ne edhe kur e kemi kërkuar, nuk na është dërguar, asnjëherë deri më sot e para…Mendoj që vëmendja juaj , pa dashur të gjykoj apo të jem subjektiv duket që ka qenë një ikje nga ajo që është kërkuar vigjilencë apo përkushtim në këtë proces që është pritur me vite të tëra. Dorën në zemër, unë nuk e kisha lënë pa marrë masa, ose ish dashur kryeministri të merr masa ndaj teje. Është një hierarki, se ne nuk mundemi, se ne mund të flasim këtu t’i ngrisim me qenë si proces dhe të shohim a nëse është prolongim i pa qëllimshëm i procesit dhe evidentohet ne atë pasqyrë do ta kishim nëse pas një jave do të na vinte listë e re e nënshkruar nga ana e juaj, ashtu siç e keni deklaruar, po e deklaroni edhe sot”, tha Zemaj.
Për këto, Vitia tha se të gjithë vendimet janë publike dhe se të gjithë mund të kenë qasje në listën e emrave të anëtarëve të komisionit.
Tri javë pasi e kishte shpallur, Ministria e Shëndetësisë mori vendim për anulimin e listës së çmimeve të produkteve medicinale.
Në vendimin e publikuar në uebfaqen e Ministrisë bëhet e ditur se kundër vendimit për listën ka pasur ankesa dhe disa prej pretendimeve janë konfirmuar nga Komisioni i Ankesave. Ankesat kanë pasur të bëjnë me çmimet në disa produkte./kp