Në mungesë së kuorumit ka dështuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe kështu u pamundësua votimi i buxhetit komunal për vitin 2025.
Pas kritikave që shprehën për buxhetin sallën e lëshuan asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët më pas pamundësuan edhe vazhdimin e seancës dhe hedhjen në votim të buxhetit komunal.
Ndërsa, të pranishëm në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal nuk ishin të pranishëm fare asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla teksa e ka quajtur buxhetin komunal të Prishtinës për vitin 2025, si buxhet zgjedhor të LDK-së, theksoi se ky buxhet është pazar i kërkesave individuale.
“Kryetari Rama ka ofruar akomodimin e ndonjë projekti apo kërkese që e kemi në buxhet në këmbim të votës apo mbështetjes për buxhetin do të thotë interesa individuale apo partiake në vend të projekteve konkrete e të nevojshme që kishin me ndihmua qytetin… këtë nuk e shohim si vizion kryetar, por pazar ku kërkesat e individëve të caktuar pa ndonjë analizë të mirëfilltë e projekt profesional inkorporohen në buxhet në këmbim të votës….Për këtë buxhet as nuk jemi pyetur dhe as nuk jemi konsultuar fare, vazhdojmë të mendojmë se ky buxhet nuk i shërben Prishtinës, është buxhet zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës i krijuar nga zyrtarë të LDK për interesa të tyre partiake dhe për ta shtyrë përpara agjendën zgjedhore. Andaj, duhet reflektim i thellë dhe i sinqertë, andaj derisa të ndodh një reflektim i tillë kjo seancë për neve përfundon këtu”, u shpreh ai.
Karshi këtyre kritikave të Lëvizjes Vetëvendosje, reagoi kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se nuk janë bërë pazare, por nga Lëvizje Vetëvendosje ka tendenca për bllokim të buxhetit dhe projekteve të kryeqytetit.
“Buxheti në këtë vit pra nuk devijon asnjë moment prej vizionit të kryeqytetit, përkundër e fuqizon vizionin e kryeqytetit. Edhe diskutimet që i kemi pas së bashku me partitë opozitare mendoj se janë pozitive e të mira e demokratike normal që kemi pyetur nëse partitë opozitare kanë ndonjë kërkesë në zonat e ndryshme…e gjithë ideja ka qenë të mos i bllokojmë dhe të shkojmë përpara dhe mos të humbin kohë mos t’i politizojmë gjërat të bëhemi bashkë aty ku mundemi dhe t’i shtyjmë proceset përpara. Nuk kanë qenë ato pazare siç edhe flasin politizojnë dhe lëshojnë sallën….përkundër faktit që thonë se nuk bllokojnë shihet qartë që kemi bllokadë totale, tendencë të bllokimit të buxhetit, tendencë të bllokimit të projekteve të kryeqytetit, po iu tregoj se nuk do të ndalemi”, deklaroi kryetari Rama.
Drejtoresha e Financave në komunën e Prishtinës, Valbona Makolli u shpreh se për vitin 2025 buxheti i kryeqytetit pritet të jetë mbi 128 milionë e 100 mijë euro.
“Kryeqyteti për vitin 2025 do ta ketë vlerën buxhetore prej 128.100.224 euro të ndara në grate specifike të arsimit dhe shëndetësisë, ligjin për kryeqytetin dhe të hyrat vetanake të cilat kryeqyteti është i obliguar t’i mbledh gjatë viti 2025. Nga granti qeveritar për vitin 2025 kryqytetit do t’i takojnë 31 milionë e 427 mijë e 358 euro .Nga grante specifike i arsimit janë 27 milionë e 93 mijë e 624 euro. Granti specifik i shëndetësisë për vitin 2025 është ndarë 11 milionë 738 mijë 786”, tha ajo.
Nora Kelmendi teksa shprehu qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, theksoi se ky buxhet është punuar sipas dëshirave partiake të LDK dhe atyre që bashkëqeverisinë me Prishtinën.
“Ky buxhet është punuar në bazë të dëshirave të njerëzve të caktuar partiak të LDK-së dhe të tjerëve që ju jeni në koalicion. Pra, ky buxhet është punuar vetëm sa për sy e faqe…07’32Po më habitë qetësia juaj karshi mijërave problemeve në kryeqytet dhe projekteve të parealizuara thjesht ju me qasjen tuaj kryetar po më habisni”, tha ajo.
Shefja e grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jeta Rafuna derisa shprehu mbështetjen për buxhetin komunal, u bëri thirrje partive opozitare ta mbështesin atë.
“Është buxhet i cili është themel për të gjitha projektet e kryeqytetit për vitin e ardhshëm. Edhe sot po bëjë thirrje partive opozitare që të zhbllokojnë këtë proces dhe të bashkëpunojmë si Kuvend Komunal për qytetarët e Prishtinës e jo të bllokohet buxheti për interesa partiake e politike”, u shpreh Rafuna.
Gëzim Mehmeti nga AKR edhe pse u shpreh se kjo qeverisje ka dështuar në shumë projekt, u shpreh se do ta votojnë si parti buxhetin komunal për vitin 2025.
“Nuk do të dëmtohet pozita, nuk do të dëmtohen as njerëzit që mbajnë pushtetin e saj do të dëmtohet qyteti unë, qytetarët ata të cilët na kanë votuar ne sot duke na besuar ne që të marrim vendime të mençura për të ardhmen e tyre që na kanë dhënë besimin”, theksoi ai.
Krahas Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe AKR-së, mbështetjen për buxhetin komunal të Prishtinës për vitin 2025 e dhanë edhe asamblistët e AAK-së dhe NISMA-së./kp