TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE
10 °c
Pristina
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE
10 °c
Pristina
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
No Result
View All Result

Vuçiq dhe Dodik ‘kërcënojnë’ me një aleancë ushtarake me Hungarinë

nga tëvë1
8 Prill, 2025
2
A A
Vuçiq dhe Dodik ‘kërcënojnë’ me një aleancë ushtarake me Hungarinë

Duke intensifikuar bashkëpunimin me Hungarinë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpreh dëshirën për krijimin e një aleance apo pakti ushtarak.

Pas Vuçiqit, edhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, paralajmëroi se ky entitet i Bosnje dhe Hercegovinës do të kërkojë të përfshihet në një marrëveshje ushtarake dhe të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Zyrtarët hungarezë nuk i kanë komentuar këto qëllime të Beogradit dhe Banjallukës, ndonëse Hungaria është tashmë anëtare e një aleance ushtarake, NATO-s.

“Këtu askush nuk i kushtoi vëmendje kësaj çështjeje, prandaj mund të përfundojmë se kjo është më tepër një çështje e zemrës për regjimin në Beograd, sesa për atë në Budapest”, vlerësoi për REL-in gazetari nga Budapesti, Gabor Bodis.

Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për qëndrimin e tyre rreth krijimit të mundshëm të një aleance ushtarake apo të sigurisë, për të cilën flasin Vuçiqi dhe Dodiku.

As NATO-ja nuk u përgjigj ndaj kësaj pyetjeje të REL-it.

Në Beograd, ministrat e Mbrojtjes së Serbisë dhe Hungarisë, Bratislav Gashiq dhe Kristof Szalay-Bobrovniczky, më 1 prill nënshkruan Planin e bashkëpunimit ushtarak bilateral mes ministrive të tyre për vitin 2025.

Ky dokument konkretizon Marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve, të arritur në vitin 2023.

Pas nënshkrimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se beson që marrëveshja për aktivitetet e përbashkëta do të vazhdojë me afrimin e mëtejshëm dhe krijimin e një aleance apo pakti ushtarak midis Serbisë dhe Hungarisë.

Vuçiq tha se ai dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, dëshirojnë të vazhdojnë përshpejtimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, “veçanërisht duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh në Evropë dhe botë”.

A është kjo përgjigje ndaj marrëveshjes së Kosovës me Kroacinë dhe Shqipërinë?

Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, mendon se marrëveshja e nënshkruar nuk ka rëndësi të madhe në praktikë, por është “propagandë e Vuçiqit për publikun e brendshëm”.

“Orban ndërhyri për t’i ardhur në ndihmë mikut të tij, Vuçiqit, që ky të mos dukej i dobët para opinionit publik dhe për të ruajtur prestigjin në Serbi pas deklaratës për bashkëpunim ushtarak të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe protestave masive në të gjithë Serbinë”, vlerësoi Stradner.

Të njëjtin mendim ndan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe lideri i lëvizjes opozitare “Zemra”.

“Ai [Vuçiq] e di që Zagrebi e shikon me dyshim çdo gjë që vjen nga Budapesti nën sundimin e Orbanit, prandaj po i kthen njëfarë nervozizmi Kroacisë”, vlerësoi Zdravko Ponosh.

Qeveria hungareze, e drejtuar nga Viktor Orban, prej vitesh është aleate e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda Bashkimit Evropian, ku Hungaria është anëtare.

Po ashtu, Orban kohët e fundit ka përqendruar vëmendjen e tij në Republikën Sërpska, e jo në tërë Bosnje dhe Hercegovinën.

Ideja për një “aleancë ushtarake” mes Serbisë dhe Hungarisë u shfaq rreth dhjetë ditë pas nënshkrimit të deklaratës për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Beogradi zyrtar, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e dënoi këtë dokument duke e cilësuar si “provokim ndaj Serbisë” dhe “cenim të stabilitetit rajonal”.

Gjithashtu, tema e një aleance ushtarake dhe të sigurisë me Hungarinë u shfaq në një kohë tensionesh të shtuara si në Serbi, ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Serbia prej muajsh përballet me protesta të udhëhequra nga studentët për shkak të vdekjes së 16 personave pas rrëzimit të një mbulese betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Ndërkohë, Dodiku ndodhet në qendër të një urdhërarresti në Bosnje e Hercegovinë për shkak të shkeljes së rendit kushtetues të vendit, pasi autoritetet e RS-së kanë marrë një sërë vendimesh anti-kushtetuese dhe secesioniste.

Ministria e Mbrojtjes dhe Presidenca e Serbisë nuk u përgjigjën ndaj pyetjes së REL-it se çfarë do të nënkuptonte një aleancë ushtarake e mundshme mes Serbisë dhe Hungarisë dhe pse do të ishte e nevojshme.

Ndihmësministri i mbrojtjes, Predrag Bandiq, tha më 3 prill për RTS-në se marrëveshja e nënshkruar për bashkëpunim në mbrojtje “ka përmbajtje dhe formë që mund të shndërrohet edhe në diçka më shumë”.

Sipas tij, kjo nuk është një tjetër rast i “ngritjes së armëve” në rajon.

“Kjo është një formë veprimi e mirëdashur nga aktorët përgjegjës të sigurisë rajonale që mendojnë së bashku për sigurinë e rajonit”, tha Bandiq.

I pyetur nëse kjo është përgjigje ndaj deklaratës së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Bandiq vlerësoi se bëhet ajo ishte vetëm një “akt deklarativ për bashkëpunim”, ndërsa këtu bëhet fjalë për një “marrëveshje shumë më përmbajtësore dhe cilësore”.

Republika Sërpska nuk mund ta nënshkruajë marrëveshjen

Nurko Pobriq, profesor në pension i së drejtës kushtetuese dhe ish-gjykatës në Bosnje e Hercegovinë, tha për REL-in se një entitet i tillë nuk mund të lidhë marrëveshje të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë.

“Për një entitet, kjo është absolutisht e pamundur. Ndoshta Bosnja si shtet do të mund të nënshkruante një marrëveshje të tillë me ndonjë shtet fqinj apo të tretë”, tha ai.

Ai shtoi se Marrëveshja për marrëdhënie speciale, si ajo ndërmjet RS-së dhe Serbisë, në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutën e BeH, nuk mund të përfshijë kompetenca që janë ekskluzivisht të shtetit të BeH.

Megjithatë, ai beson se Serbia dhe Hungaria nuk do ta pranojnë ofertën e Dodikut.

“Entiteti i Republikës Sërpska, konkretisht, nuk mund të lidhë një marrëveshje ushtarake me Serbinë, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, theksoi Pobriq.

BeH ka të nënshkruar një plan të bashkëpunimit ushtarak bilateral me Hungarinë për vitin 2023, që përfshin një sërë takimesh dhe kurseve të përbashkëta, si dhe shkëmbim instruktorësh në fushën e mbrojtjes.

Një marrëveshje e tillë është nënshkruar edhe me Serbinë në mars, por ekziston edhe me Britaninë, Francën, Turqinë, Austrinë, Kroacinë, Greqinë, Holandën dhe shtete të tjera.

Nga ana tjetër, Dodiku është i bindur se RS-ja “ka të drejtë” të kërkojë statusin e anëtarit në kuadër të marrëveshjes së sigurisë mes Serbisë dhe Hungarisë, dhe se mund ta mbështesë këtë marrëveshje për shkak se “ka kapacitete të rëndësishme policore”.

“Mund të jemi vëzhgues, anëtarë, apo vetëm bashkëpunëtorë në çështje policore ose të tjera të inteligjencës”, tha Dodik në mbledhjen e qeverisë.

Kabineti i presidentit të RS-së nuk iu përgjigj pyetjes së REL për çfarë marrëveshjeje të sigurisë bëhet fjalë, dhe nëse është çështje policore apo bashkëpunim tjetër.

Nga ana tjetër, Ramo Isak, ministër i policisë në Federatën e BeH, tha për REL-in se “Dodiku dhe RS-ja nuk mund të nënshkruajnë asgjë”, sepse “vetëm shteti” ka këtë të drejtë.

Ai tha se marrëveshje të tilla ekzistojnë, por janë nënshkruar nga shteti i BeH me Kroacinë, Serbinë dhe shumë shtete të tjera.

“Edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e RS-së, edhe MPB-ja e Federatës së BeH kanë ushtrime të rregullta me vende të tjera, ose dërgojnë zyrtarë për trajnime, por të gjitha këto kalojnë nëpër institucionet shtetërore, përkatësisht Ministrinë e Sigurisë së BeH”, tha Isak.

“Për shembull, zyrtarë të policisë nga Federata e BeH shkojnë për trajnim në Turqi, dhe nga Turqia vijnë tek ne”, shtoi ai.

Në shkurt, policët nga Qendra Hungareze për Luftën kundër Terrorizmit dhe njësia speciale antiterroriste e policisë së RS-së zhvilluan ushtrime dhe trajnime në atë entitet të BeH.

Më parë, drejtorët e policisë së RS-së dhe të Qendrës për Luftën kundër Terrorizmit të Ministrisë së Brendshme të Hungarisë nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit policor.

Hungaria ka detyrime ndaj NATO-s

Zdravko Ponosh, ish-gjeneral dhe tani lider opozitar në Serbi, mendon se nuk do të ketë aleancë ushtarake me Hungarinë.

“Kjo është pak lojë me fjalë nga Vuçiq, sepse i duhet për publikun e brendshëm”, vlerësoi Ponosh për REL-in.

Ai theksoi se Plani i bashkëpunimit bilateral i nënshkruar është një dokument teknik, dhe se marrëveshje të tilla kanë ekzistuar me Hungarinë për 20 vjet.

“E kishim edhe kur isha unë shef i Shtabit të Përgjithshëm. Kjo nuk është gjë e re”, tha Ponosh, që ka mbajtur këtë post nga viti 2006 deri në 2008.

Megjithatë, Ponosh shton se është e vërtetë që Serbia dhe Hungaria kanë bashkëpunim të avancuar ushtarak.

“Por kjo është përmes marrëveshjeve dhe planeve vjetore, që përfshijnë edhe blerjen e armatimeve sovjetike të papërdorura nga Hungaria, që ne i modifikojmë, si dhe dërgesat tona të municionit për ta”, tha ai.

Por, sipas tij, “asgjë nga këto nuk është aleancë ushtarake dhe nuk do të bëhet”.

“Hungaria ka detyrime shumë më të forta ndaj çdo anëtari të NATO-s. Çdo lidhje ushtarake jashtë NATO-s kalon përmes një procedure të caktuar brenda NATO-s”, tha Ponosh.

Edhe Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington thekson se Hungaria ka detyrime ndaj NATO-s si anëtare e këtij aleance.

“Veprimet e Vuçiqit janë shpesh në kundërshtim me interesat e NATO-s”, tha ajo.

Ajo shtoi se nuk duhet harruar se Vuçiq, Orban dhe kryeministri sllovak Robert Fico janë, sipas saj, “mbartës të një koalicioni autokratësh në Evropë me retorikë populiste”.

“Prandaj, kjo deklaratë nuk është gjë tjetër veçse një tigër prej letre”, tha Stradner.

Orban si aleat i Vuçiqit dhe Dodikut

Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban prej vitesh thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilëve i cilësojnë si “në nivelin më të lartë dhe historik”.

Orban është përkrahësi kryesor i anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE, ndërsa Vuçiqi e quan atë “mik të madh”.

Hungarezët janë minoriteti më i madh në Serbi sipas regjistrimit të vitit 2022 me mbi 184.000 qytetarë, ndërsa numri i serbëve në Hungari është i vogël.

Gjithashtu, edhe Serbia edhe Hungaria po intensifikojnë marrëdhëniet me Pekinin dhe Moskën, çka has në pakënaqësi nga BE-ja.

Orban është afruar me Dodikun në vitet e fundit, me vizita të ndërsjella mes tyre. Ai ishte figura kyçe në bllokimin e sanksioneve të BE-së ndaj Dodikut.

Presidenti i RS-së dhe e gjithë udhëheqësia e atij entiteti janë nën sanksionet e SHBA-së për korrupsion dhe minimin e BeH.

Hungaria është i vetmi shtet anëtar i BE që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në maj 2024 votoi kundër Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, duke mbështetur qëndrimin e Serbisë dhe autoriteteve të RS-së.

ShareTweet

Postime të ngjashme

A shkon AAK-ja në takim të thirrur nga presidentja? – Përgjigjet Haradinaj

A shkon AAK-ja në takim të thirrur nga presidentja? – Përgjigjet Haradinaj

10 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave”

10 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave”

Betisi i bashkohet Chelseat në finale të Ligës së Konferencës

Betisi i bashkohet Chelseat në finale të Ligës së Konferencës

Finale angleze në Europa League, Manchester United kundër Tottenham Hospur

Finale angleze në Europa League, Manchester United kundër Tottenham Hospur

A shkon AAK-ja në takim të thirrur nga presidentja? – Përgjigjet Haradinaj

A shkon AAK-ja në takim të thirrur nga presidentja? – Përgjigjet Haradinaj

Murati: Qëllimi i Vetëvendosjes nuk është që të shkojë në zgjedhje

​LVV edhe sot insiston në votim të fshehtë

TENTIMI I 13-të – “DEJA VU” APO KONSTITUIM? – 09.05.2025

TENTIMI I 13-të – “DEJA VU” APO KONSTITUIM? – 09.05.2025

Ngacmohet seksualisht e mitura në Leposaviq, nisin hetimet

Ngacmohet seksualisht e mitura në Leposaviq, nisin hetimet

Nisin hetimet për vdekjen e një gruaje në Mitrovicë

Nisin hetimet për vdekjen e një gruaje në Mitrovicë

10 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave”

10 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave”

Këto janë ngjarjet e paralajmëruara për sot në Kosovë

Këto janë ngjarjet e paralajmëruara për sot në Kosovë

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2025 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE

© 2022 - 2025 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

X