I dyshuari për vrasjen në Banjë të Malishevës është ndaluar për 48 orë.
Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar bashkëpunëtori profesional i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Hekuran Batusha, i cili tha se motiv dyshohet që ka qenë një mosmarrëveshje në lidhje me punën.
“Mundem me konfirmu që i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjore do të bëjmë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Si motive është një mosmarrëveshje që kanë pasur në lidhje me punën”, ka thënë ai për teve1.info
Ndryshe, zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Sheremet Elezaj, tha se i dyshuari është dorëzuar në polici.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, tha Elezaj.
Kurse, Hysen Hoxha- kryetar i fshatit Bellanicë, nga i cili është edhe i dyshuari për vrasjen në Banjë të Malishevës, ka thënë se lajmi që bashkëvendësi i tyre është përfshirë në një rast të tillë ka qenë shokues.
Hoxha në një deklarim për Tëvë 1, tha se në fshat I.Z njihet si djalë i urtë dhe punëtor.
Ai tha se dhe familjarët e tij nuk kanë pasur njohuri se ai ka pasur probleme me viktimën me të cilin kishin punuar së bashku.