Policia e Shtetit ka hedhur poshtë deklaratat në mediat e ndryshme në vend se ka një autor të dytë të përfshirë në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Canit nga bashkëmoshatari i tij.
Reagimi i policisë vjen pas deklaratave të babait të të miturit tjetër të plagosur, i cili ndodhet ende në spital, shok me Martinin, i cili tha se në ngjarje është përfshirë edhe një person i dytë.
Sipas Policisë së Shtetit provat e mbledhura nga pamjet filmike nga vendi i ngjarjes nuk sugjerojnë përfshirjen e një autori të dytë në ngjarje.
Policia i bën thirrje mediave dhe publikut të mos keqpërdorin tragjedinë për të shpërndarë informacion të pavërtetë, duke e dëmtuar hetimin dhe duke mashtruar opinionin publik.
“Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë. Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.
Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çështjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi. Nga ana e Policisë Gjyqësore në drejtimin e prokurorisë po kryhen veprime intensive per zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë. Sipas Policisë së Shteti çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së nj jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinfirmon opinion publik”, thuhet në njoftimin e policisë.