Rruga drejt lapidarit këtë të diel nuk ishte si çdo ditë tjetër.
Edhe këtë 5 prill, fshati Vraniq në Suharekë, u bë adresë e qindra qytetarëve.
Të dielën këtu nikoqirët, u rreshtuan për t’i pritur mysafirët.
E këta të fundit, me krenari arritën në Vraniq.
Krejt kjo, për t’i kujtuar shtatë dëshmorët e kombit dhe 30 martirët e Lirisë, në 27 vjetorin e rënies së tyre.
“Ata ishin djem si gjithë të tjerët, me ëndrra, me familje, me jetë përpara, por kur atdheu thirri ata nuk hezituan. Zgjodhën rrugën më të vështirë, rrugën e sakrificës supreme. Sepse një popull i robëruar që synon të jetojë i lirë, e ka luftën për çlirim jo të imponuar, por domosdoshmëri. Dhe kur u dha kushtrimi nga komandanti legjendar Adem Jashari, djemtë e Vraniqit nuk u tërhoqën, nuk u frikësuan, por u ngritën si një për t’iu përgjigjur thirrjes së lirisë. Ata e dinin se rruga që po merrnin mund të mos kishte kthim”, tha Sejdi Elezaj-kryetar i OVL-UÇK-së në Therandë.
Në këtë ceremoni, u tha se amaneti i tyre duhet të çohet në vend.
“Dëshmorët nuk kanë nevojë për ne sepse ata kanë arrit kulmin e asaj që mund ta arrijë njeriu, e kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, po ne kemi nevojë vazhdimisht të marrim energji dhe të marrim shembullin e tyre, të mbajmë amanetin e tyre për realizimin e Kosovës ashtu siç e ëndërruan ata, ashtu siç e panë ata me sytë e mendjes së tyre që para lufte, gjatë lufte”, tha Sadik Halitjaha-bashkëluftëtarë.
E i pari i fshatit, Tahir Kolgeci, tha se Vraniqi u bë shumëherë cak i sulmeve serbe.
“Fshati Vraniq u përball me shumë ofenziva nga okupatori barbar serb, duke filluar nga ofenziva shtatorit vitit 98, pastaj ofenziva marsit, prillit, majit dhe ofenziva fundit qershor 1999. Ku në secilën ofenzivë, u përjetësuan dëshmorë dhe ranë shumë dëshmorë lirisë. U arrestuan dhe u torturuan prej më barbare nëpër kazamatet serbe 48 persona nga fshati Vraniq që me shumë sakrifica dhe para u liruan pas përfundimit të luftës. Gjak dëshmorëve të kombit dhe dëshmorëve të lirisë, vuri gurthemelët e lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës që ne po e gëzojmë so”, u shprhe ai.
Ndërsa kryetar i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se tregimi i këtyre heronjve, duhet t’u përcillet brezave të rinj.
“Ky gurthemel që po shihet mbrapa tregon pavarësinë e Republikës Kosovës edhe kemi edhe shumë gurthemelë tjerë. E kam një mesazh t’u fillu prej nivelit komunal edhe republikan të mësojmë ma shumë për luftën. Gjeneratat që vijnë mbas neve duhet ta dinë që ky vend është derdhë e gjak, këtë vend kanë ra dëshmorë, kanë ra heronj, këtë vend kanë mbet invalid sot edhe duhet të merremi ma shumë me ta. Duhet t’i respektojmë ata edhe duhet të punojmë ma shumë. Lavdi të gjithë dëshmorëve të Vraniqit, Suharekës, Kosovës e të kombit”, u shpreh Muharremaj.
Ndryshe, në luftën e fundit me forcat serbe, dëshmorët nga ky fshat janë Zaim Muqa, Reshat Muqa, Besnik Muqaj, Emrush Buzhala, Milaim Bugari, Hafir Elshani si dhe Burim Elshani.






