Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, ka thënë se akuzat në drejtim të këtij sektori, për vrasjet e fundit që kanë ndodhur këto ditë në Kosovë, është e padrejtë.
Sipas tij, ky është një problem shoqëror dhe përgjegjësi e organeve të sigurisë dhe drejtësisë.
“Shumë e padrejtë të vendoset gishti në drejtim të gastronomisë, sepse ky është një problem shoqëror, sidomos me institucionet që merren me zbatimin e ligjit që nuk po intervenojnë në mënyrë të duhur… Problemi është me organet e sigurisë dhe gjyqësorit”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai tha se ka pasur raste kur vrasje ose incidente kanë ndodhur edhe në hapësira publike, e që është fajësuar sektori i gastronomisë.
Vranica tha se në asnjë lokal në botë nuk vendoset sigurimi në baza ditore, përjashto sipas tij, në raste të veçanta.
Kurse theksoi se ditëve të fundit është shtuar numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës afër lokalëve në Prishtinë.
Të premten e kaluar një person nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri në një lokal në qendër të Prishtinës. Në këtë rast ka pasur edhe të plagosur me armë zjarri e dhjetëra të lënduar pas përleshjeve.
Dy ditë më parë në një lokal në Klinë po ashtu është vrarë një person, ndërsa një tjetër mbrëmjen e kaluar në Skenderaj, ku dy persona të maskuar kanë gjuajtur me armë zjarri në një lokal./teve1.info./