Volejbollistes së Dinamos, Nayar Ferreira, i është kërkuar t’i bëhet testi i gjinisë, ndërsa mediumet në Shqipëri kanë raportuar të shtunën se ajo është suspenduar nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV).
Ky suspendim dhe kërkesa për testimin e gjinisë është bërë nga klubet kundërshtare të Dinamos.
FSHV-ja sipas mediumeve në Shqipëri ka kërkuar analiza më të detajuara, ndërsa volejbollistja është shprehur se ndihet e diskriminuar.
Ferreira u transferua te Dinamo në gusht të këtij viti.
32-vjeçarja ka bërë karrierë edhe në Brazil, Francë, Spanjë, Çeki, Finlandë, Portugali dhe në Arabinë Saudite.
Ferreira vlerësohet njëra prej lojtareve kryesore të Dinamos.
Dinamo të premten mbrëma luajti ndaj Tiranës në ndeshjen e xhiros së shtatë të elitës së volejbollit. Dinamo fitoi me rezultatin 3:2 në sete.
Ferreira ishte pjesë e Dinamos edhe për ndeshjen miqësore ndaj Dritës së Gjilanit më 13 shtator në Rrëshen.









