Bashkë garuan për zgjedhjet e vitit 2021.
Nga 14 shkurti i atij viti, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti mbajtën pozitat kryesore në politikën kosovare.
Fitorja e para pesë viteve, e bëri Kurtin kryeministër e Osmanin në prill të vitit 2021 presidente.
Pikërisht në prill të këtij viti, Osmani e përfundon mandatin.
Akoma nuk dihet nëse emri i saj do të propozohet sërish për të paren e shtetit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Raportin mes Kurtit e Osmanit, e ka parë të lidhur ngushtë me interesa të ndryshme, analisti politik Shemsi Jashari.
Jashari thotë se Kurti pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka më shumë komoditet.
“E kemi parë një sinkronizim të plotë të qëndrimeve të Vjosa Osmanit në raport me qeverisjen e zotëri Kurtit. Tashmë kur e kemi këtë rezultat, kur Lëvizja Vetëvendosje rritet përkundër një rënie qe e pat në zgjdhjet e shkurtit 2025, kjo duket se i ka dhënë komoditetin zotëri Kurtit që të luaj rolin e shefit, siç e ka luajtur deri tash me një arrogancë pak më të tepruar duke e mbajtur pezull një paqartësi se do të propozoj zonjën Osmani apo do të nxjerr një figurë tjetër e cila do të eleminonte nga skena zonjën Osmani, nëse i shohim deklaratat e fundit, kjo paqartësi vjen duke u thellu në raportet që e kemi pa se ndaj Vjosa Osmanit janë inicu disa procedura administrative për kontrollin financiar së pasurisë së saj e që është një sinjal që zoteri Kurti nuk është shumë i interesuar që ta mbështes atë për një mandat të dytë, ose nëse po ta siguroj një nënshtrim të saj, një anëshmëri të saj që e ka pasë edhe në mandatin e parë”, ka thënë Jashari.
Megjithatë, Jashari vlerëson se Osmani nuk pati një rol unifikues gjatë mandatit të saj.
“Përndryshe çka do të duhej të bëhej është që zotëri Kurti edhe subjektet politike në përgjithësi, të propozonin një emër që e garanton kushtetushmërinë dhe ligjshmërinë në vend, që të dyja kanë munguar në mandatin e zonjës Osmani”, u shpreh tutje Jashari.
Për ish-diplomatin Blerim Canaj, raportet mes dy krerëve shtetëror gjatë këtij mandati kanë qenë në ulje ngritje për interesa të tyre.
“Raportet kanë qenë në rënie dhe në ngritje, që shpesh herë kanë qenë të lidhura edhe interesat personale politike të akterëve të përmendur. Mendoj se raportet stabile mes të Presidentit dhe Kryeministrit gjithmonë i bëjnë mirë vendit, përderisa raportet herë të ftohura e herë të stabilizuara natyrisht që shkojnë në dëm të shtetit, por në anën tjetër nëse janë ftohur për shkak të interesave shtetërore sic e kemi parë përshëmbull për shkak të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e tjerë, atëherë e shohim se të dy akterët jo që kanë qenë në një vijë politikë, ndërsa në të ardhmen e afërt do të thotë pas marsit, e para mendoj që është vështirë që Vjosa Osmani do të jetë përsëri presidente e vendit, por shpresoj që nëse është, thjesht të ketë një politikë të përbashkët të tyre e cila është së pari në interes të shtetit dhe jo në interesa personale të cilat pastaj mesiguri do të reflektojnë edhe në vet shtetin”, ka thënë Canaj.
Osmani gjatë disa paraqitjeve publike, e ka konfirmuar se e synon edhe njëherë pozitën që e mban.








