Shkruan: Dorajet Imeri – Politolog
Vizitat në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se me kë realizohen takimet, kanë para së gjithash karakter simbolik. Ato interpretohen gjerësisht si shenjë legjitimiteti politik dhe si konfirmim i relevancës ndërkombëtare të aktorëve që marrin pjesë në to. Pikërisht për këtë arsye, këto vizita shpesh shfrytëzohen nga vetë aktorët politikë për konsum të brendshëm dhe për forcimin e pozitave të tyre në kontekste të ndjeshme rajonale.
Në këtë kuadër, vizita e Milorad Dodikut në Shtëpinë e Bardhë ngre shqetësime serioze jo për shkak të politikës amerikane, por për shkak të historikut politik të vetë Dodikut. Ai ka qenë dhe mbetet një aktor që në mënyrë të vazhdueshme ka minuar paqen dhe stabilitetin në Bosnjë-Hercegovinë dhe më gjerë në rajon. Dodik është mbështetësi i Kremlinit, për të cilin Sekretari amerikan, Rubio, në mars të vitit 2025 deklaroi se po “minonte institucionet e BeH-së dhe po kërcënonte sigurinë dhe stabilitetin e saj.
Dodik nuk është thjesht një figurë kontroverse, por një politikan që sistematikisht ka sfiduar rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës, ka vënë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve shtetërore dhe ka promovuar narrativa separatiste që cenojnë drejtpërdrejt Marrëveshjen e Dejtonit. Retorika e tij politike ka qenë e shoqëruar vazhdimisht me relativizimin e krimeve të luftës, përfshirë mohimin ose minimizimin e gjenocidit në Srebrenicë, duke kontribuar në thellimin e ndarjeve etnike dhe në pengimin e pajtimit rajonal.
Problemi kryesor qëndron në faktin se Dodiku e shfrytëzon çdo platformë ndërkombëtare për të ndërtuar imazh legjitimues, duke e paraqitur veten si partner politik të domosdoshëm, ndërkohë që veprimet e tij konkrete dëshmojnë të kundërtën. Ai ka ndjekur një politikë të vazhdueshme tensionimi, e cila ka prodhuar pasiguri, ka dobësuar besimin ndërmjet komuniteteve dhe ka rrezikuar seriozisht stabilitetin e arritur me vështirësi pas luftës.
Mësimet dhe pësimet për rajonin dhe Kosovën
Në këtë kontekst, shqetësimi për Kosovën dhe për rajonin nuk lidhet me vetë vizitën si akt diplomatik, por me mënyrën se si Dodiku e instrumentalizon atë për të forcuar agjendën e tij politike. Legjitimimi simbolik që ai përpiqet të nxjerrë nga këto takime shërben për të justifikuar politika që bien ndesh me paqen, stabilitetin dhe rendin ndërkombëtar.
Për Kosovën, kjo është veçanërisht e ndjeshme, pasi normalizimi i figurave që minojnë marrëveshjet paqësore dhe relativizojnë krimet e luftës krijon precedent të rrezikshëm. Ai nxit modele politike që sfidojnë sovranitetin, rendin kushtetues dhe parimin e përgjegjësisë për të kaluarën.
Prandaj, fokusi i debatit nuk duhet të zhvendoset drejt kritikës së aktorëve ndërkombëtarë, por duhet të qëndrojë te përgjegjësia politike e Milorad Dodikut, i cili prej vitesh vepron si faktor destabilizues dhe si pengesë serioze për paqen e qëndrueshme dhe bashkëpunimin rajonal




