Gjithçka nisi nga zero.
E çdo shpikje e re, sigurisht…. ka nevojë për një emër që të mbahet mend.
“Qysh me mbet në mendje, qysh mos mu përzie, me qenë naj numër, shkronjë dhe qysh më i veçantë…”
Puna po bëhet më shpejtësi, ashtu sikurse po ndryshonte edhe bota jashtë.
Për hapjen e një televizioni të veçantë, duhej zgjedhur edhe një datë të veçantë.
Kështu 22 shkurti i muajit të dytë të vitit 2022, solli edhe “ë”-n më të veçantë në tregun medial në Kosovë.
“Kur janë dhjetëra televizione, mediume të ndryshme, atëherë duhet me mendua diçka karakteristike që nuk e ka kurrkush tjetër. Kështu kemi ardhur edhe tek emri, sepse asnjë televizion nuk ka “ë” ne emrin e vet, e ne e kemi goxha shkronjë të veçantë dhe për këtë arsye kemi vendos me qenë me “ë”-ja. Bile dikush me ju referua si ai televizioni me ë-ja”, tha drejtori kreativ, Kreshnik Berisha.
Emri iu vendos. Tëvë1 do të quhej televizioni më i ri në Kosovë.
Por, as 150 punëtorët e televizionit para Kekës, për këtë emër nuk mund të vendosnin AS PO e AS JO.
“Fillimisht ka pasur shumë rezistencë, bile edhe prej stafit brenda, por pas 6 muajve kemi marrë fjalët e para që e kemi “rrokë” me emër. I kemi këqyr krejt televizionet e tjera, hajde çfarë logo më bo. Televizionet e tjera provojnë më u bo shumë serioz. Bëjnë logo me thepa, me ngjyra të rënda, kaltër, teget, kuq, ngjyra të rrepta. Edhe ne kemi thënë hajde dy ngjyra që nuk i përdor asnjë televizion. Edhe i kemi marrë magentën edhe cyanin”, tha Berisha.
Tri vite më pas, Tëvë1 për shikuesit po sjell plot 29 emisione të prodhuara nga stafi i televizionit.
Puna e tillë, bëri që viti 2024 të jetë më i suksesshmi që nga krijimi i televizionit.
“Tëvë1 tanimë është etabluar se një nga televizionet më të mëdha në skenën mediatike kosovare. Ne shpresojmë që të vazhdojmë më këtë ritëm dhe t’i arrijmë ato synime e vlera dhe objektiva strategjike që ia kemi përcaktuar televizionit tonë për vitet e ardhshme”, tha drejtori gjeneral, Mehmet Kalisi.
“Nga dita e parë që e kemi filluar transmetimin, shtrirja ka qenë si në tokësor e satelitor në çdo platformë. Këtë shtrirje e ka mundësuar TELKOS”, tregon drejtori teknik, Valon Hasanramaj.
“Ne çdo ditë jemi në çdo cep të Kosovës”.
Përgjatë 24 orëve transmetim, plot 5 orë në Tëvë1 i kushtohen informacionit.
Për këtë, 7 ditë në jave ekipe të tëra gazetaresh, i përvishen punës në terren.
“Në kuadër të deskut informativ në Tëvë1, i kemi edicionet e lajmeve të orës 7:30 në mëngjes, 8:30, në ora 11:00, pastaj në ora 14:00 me flash lajme. Pastaj vazhdojnë magazinat informative në ora 17:30, Lajmet Qendrore në ora 20:00, Këndi i Debatit dhe përfundon me Infonatën në ora 23:00”, thotë drejtori i Informacionit, Bashkim Bekolli.
Në ora 17:30 storiet e përgatitura nga gazetarët e terrenit fillojnë të transmetohen.
Krejt kjo në kuadër të magazines informative “Ditari” me Fjolla Xheladinin.
E në ora 20:00 termini është i rezervuar për Lajmet Qendrore në Tëvë1.
Kur lajmet përfundojnë, skena tjetër në kënd bëhet gati.
Kjo pasi në orën 21:00, fillon “Këndi i Debatit”.
Pa zhurmë, eskalime e përplasje fizike në studio, këtu analizohen ngjarjet e fundit politike në vend, rajon e botë.
E gjitha kjo, nën drejtimin e Ardian Visokës.
“Këndi i Debatit ka pasur mysafir të shumtë, sigurisht që prania kryesor është i figurave vendore, pasi e diskutojmë aktualitetin politik në Kosovë. Megjithatë, kemi pasur edhe prani ndërkombëtare, kemi pasur ambasador, të ftuar të huaj, kemi pasur analist e opinionist edhe nga SHBA e Evropa, por edhe nga rajoni”, tha moderatori i emisionit “Këndi i Debati”, Ardi Visoka.
Visoka e liron me shpejtësi studion, pasi një tjetër magazinë informative në Tëvë1 fillon nga ora 23:00.
Është Kushtrim Kadriu e Fitim Majkovci, që e përfundojnë një ditë të gjatë transmetimi.
“Nga kjo studio e “Infonatës” kanë buruar shumë informacione edhe ato që kanë bërë bujë shumë të madhe, jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe me gjerë, siç ka qenë rasti me deklaratën e zyrtarëve qeveritar për hapjen e Urës së Ibrit….edhe intervistën me Ministrin e Mbrojtjës, Ejup Maqedoncin, që ka bërë bujë në mediet vendore e ndërkombëtare”, thotë moderatori i këtij emisioni, Kushtrim Kadriu.
“Në fillim e kemi pasur një moto: Shpejtësinë e lajmit e kemi sakrifikuar për saktësi”.
A ju ka ikur ndonjë gjë nga këto që i kemi thënë deri më tani?
Nuk prish punë.
Të gjitha këto mund t’i lexoni në çdo kohë në portalin, tëvë1.info.
“Portali Tëvë1, që funksion në kuadër të televizionit, ka filluar punën që tri vite. Në fillim si çdo projekt i ri ka pasur sfida, por gradualisht me punë serioze kemi arritur të hyjmë në treg shumë shpejt, bashkë Tëvë1 me portalin. Sot Tëvë1.info është referencë edhe për shumë media tjera”, tha redaktori përgjegjës në portal, Përparim Bublaku.
E javën gazetarët e portalit e nisin të hënën, ku volumi i punës shtohet… sidomos në mbrëmje.
Kjo meqë nga ora 20:40 Mehmet Kalisi e Ilir Kulla, në “Matrix” i diskutojnë zhvillimet gjeopolitike.
“Ideja fillestare ka qenë sepse e kemi ndier që i mungon një profil i emisionit të tillë medieve jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë trojet shqiptare. Prandaj e kemi filluar një model apo formë programore, e cila do ta ketë në fokus trajtimin e problemeve të cilat ndodhin në fushën e gjeopolitikës”, tregon moderatori i këtij emisioni, njëheri edhe drejtori gjeneral, Mehmet Kalisi.
Por, jeta nuk është vetëm lajme e lajme e lajme…
Këtë e ka menduar 410 herë edhe vetë Tëvë1-shi.
Për këtë në ora 4:10, për tri vjet rresht, pasditen e nisi Dhurata Lipovica.
“410-shi i ka qëndruar besnik formatit që e ka pasur. I kemi qëndruar besnike edhe ditës së hënë që gjithmonë kemi pasur gra në kontekstin e grave të suksesshme. Por, edhe e kemi shtuar dozën e të ftuarve VIP, të cilët shikuesit po i kërkojnë. Së fundmi na është bashkuar edhe Shqipja si producente”.
Tëvë1 po rritet, por kurrë nuk e harroi familjen.
Jo më kot thuhet se një familje e fortë, ndërton një botë më të mirë.
Këtë e pati synim çdo të diel edhe emisioni “Rritë” në Tëvë1.
“Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, kemi trajtuar tema mjaftë të rëndësishme, që kanë prekur prindërit, familjet deri tek shoqëria. Kështu që emisioni “Rritë” synon të trajtojë tema që kanë të bëjnë më fushën e mjekësisë, prindërimin e kohës moderne deri tek rëndësia e edukimit dhe mirëqenies sociale”, tha Besa Jashari.
Brenda një familje të lumtur, nuk mungojnë të qeshurat.
Për këtë arsye në televizion u ndërtua një shtëpi e tërë.
Në të, ka afër dy vjet që jeton familja e Majkit Anton nga Prishtina dhe haxhi Babës nga Tetova .
Miqësia mes tyre, krijoi “Bashkallajkun”, komedinë më të shikuar në Kosovë.
“Është kënaqësi me punu me një televizion si Tëvë1, jo që jam tu punu këtu, po kanë standard tjetër dhe pse janë në fillim, volumi i punës është si me qenë përvoja shumë e madhe në këtë industri. Kur pjesa e produksionit është rehat, pastaj e ke shumë më të lehtë më punu në këto projekte”, tha skenaristi i serialit, Ardi Islami.
Kur të qeshurat me Bashkallajkun përfundojnë, fillon Logjikonomia.
Po nejse, “çka dinë thmia çka është “Logjikonomia”?
“Logjikonomia e ka audiencën e vet, Bashkallajku e ka audiencën e vet. Nuk përzihen kryesisht. Të Logjikonomisë janë njerëz në moshë më madhore, me shije më të holl të humorit. Bashkallajku është ma masiv, më familjar”, tha Islami.
E festa për trevjetorin e Tëvë1-shit ka filluar.
Por pritni, duket se ka ndërhy “VAR”-i.
Bujar Mehmeti e Anita Mustafa, çdo të diel drejtojnë emisionin qendror të sportit në Tëvë1.
“VAR është një emision që nëse e zbërthen në origjinalitetin e tij, pra, nuk i ikë asgjë VAR-it gjithçka është ne fokus, analizohet e shikohet nga shumë sy. Të njëjtën jemi mundur ta sjellim në emisionin qendror të sportit në TËVË1, në të cilin në fokus kemi pasur ngjarjet kryesore, ato që ndodhin gjatë fundjavës, me fokus në futbollin e Kosovës. Gjatë vitit kemi pasur, nuk po lëshohemi shumë në numra, por më të vërtetë kanë qenë qindra mijëra shikime në videot tona, emisionet tona në Youtube e rrjetet e tjera sociale”, tregon Bujar Mehmeti.
Se çfarë mbjellët edhe korrët, na e mësoi për tri vjet Dafina Millaku në emisionin “Fara”.
Ndërsa pamjet më të bukura të maleve, na i solli Kujtesa Delija me emisionin “N’kamp me Kujtesën”
E kur u ndalën dritat, në “Emocion” shpërthyen lotët.
Kosova për tri vjet, nuk ishte terreni i vetëm për gazetarët e Tëvë1-shit.
Asnjë nga këto nuk do të realizohej, po të mungonte teknika.
“Ne jemi të pajisur për gjithçka dhe kemi kapacitet me i realizu 16 storie në të njëjtën kohë. Kur bëhen storiet e thjeshta në Prishtinë dhe Prizren, shkojmë veç me kamerë. Kur ka storie me rrezikshmëri pak më të lartë, pajisemi me jelekë anti-plumb dhe helmeta. Kur mbesim në terren më shumë, ka powrbank-a e pajisje të tjera, në lidhje direkte përdorim solitonin dhe nëse është koha është jo e përshtatshme, i kemi ombrellat, xhaketat e shiut dhe çizmet”, tha kryekameramani Veton Ethemi.
U përmend në fillim, që viti 2025 ishte viti më i suksesshëm.
Nuk po e themi ne, por statistikat.
Shikuesit që ende nuk e kanë humbur durimin, do të thonin: Mjaftë e lëvduat vetën.
Për Tëvë1, më së shumti, vlen mendimi dhe fjala e tyre.
“Ju përgëzoj për televizionin, gazetar të mirë, më së shumti e përcjelli emisionin e sportit ‘VAR’ po e keni edhe një serial shumë të mirë që ka dal tani, komedi shumë të mirë ‘Bashkallajkun’”, tha qytetari Ardian Krasniqi.
“I përcjellim lajmet më shumë, janë lajmët më të sakta edhe ndonjë film dhe ndonjë ngjarje”, tha qytetari, Gafurr Ajvazi.
“Kohë pas kohe për aq sa kam mundësi e kam parë Tëvë1-shin, ka programe në të cilat mund ta gjejnë vetën, por për tri vite ndoshta nuk i keni arrit të gjitha synimet, por në të ardhmen do të bëni diçka edhe më të madhe”, shprehet një qytetar tjetër, Ramadan Beqiri.
Përgjigja nga VAR-i erdhi, festa për trevjetorin mund të fillojë.
Bashkë më të, edhe urimet për Tëvë1.