Viti 2025 ishte i ri në kalendar, por jo edhe në dialog
Situata e njëjtë në mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë edhe përgjatë këtyre 365 ditëve.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme Kaja Kallas nuk arriti që t’i bind liderët e të dy vendeve të ulën në tavolinën e bisedimeve.
Kësisoj, nuk pati asnjë takim sy më sy në mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takim të tillë nuk ka nga shtatori i vitit 2023.
Në Bruksel, më 15 janar u mbajt takimi i parë inaugurues i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit.
Ky komision u formua në bazë të një marrëveshjeje të arritur në vitin 2024 në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
E këtu, Delegacioni i Kosovës u përfaqësua në Bruksel nga Halil Cenaj.
Por takimi dështoi të mbahej për shkak të Serbisë.
“Prania e z. Petkoviç në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit. Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temen që sot janë thirrur në Bruksel. Kjo demonstron për të satënherë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”.
E në muajin shkurt, zyrtarisht e mori mandatin Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Sorensen vizitën e tij të parë njoftuese e bëri më 17 mars, me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Vizitën e dytë Sorensen e zhvilloi më 24 prill.
Këtë herë, takimin e pati me kryenegociatorin Besnik Bislimi.
Për të zhvilluar një takim tre palësh u deshën gjysmë viti.
Më 10 qershor, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi u takua me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq nën ndërmjetësimin e Sorensenit.
Edhe këtu, takimi trepalësh nuk pati sukses.
Palët provuan edhe një herë më 11 shtator, por edhe këtë herë nuk pati asgjë të re.
Kosova kërkon zbatim të marrëveshjes, Serbia Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Asgjë as në vazhdim nuk pret analisti politik, Dorajet Imeri.
Imeri thotë se nuk ka arsye për dialog në mes dy shteteve për këto arsye.
“Për çka të dialogohet? Nuk ka gatishmëri nga as njëra palë e as pala tjetër nuk marrin përsipër detyrimet e tyre, ka një mosbesim të jashtëzakonshëm. Marrëveshja nuk është për shkak të shtytjes por për shkak të gatishmërisë që të pajtohen. Serbia nuk është e interesuar që të pajtohet me Kosovën, e Kosovës i kushton shtrenjtë kjo punë sepse rrënohet ajo që është arritur. Serbia në anën tjetër është e interesuar që të mbajë peng Kosovën që të paraqes atë si një storje të papërfundueshme, të faktorizohet te Bashkimi Evropian dhe në anën tjetër duke e lënë Kosovën si storje të hapur bëhet e rëndësishme për Rusinë sepse ajo është e interesuar të ketë vatra krizash në rajone në mënyrë që partnerët perëndimor duhet të fokusohen aty. Kosova në anën tjetër nuk mund të bëjë kompromise edhe për shkak të tyre, kërkesave që mund të vijnë nga Perëndimi, sepse Kosovës i është thënë që duhet të pranojë pakon e Ahtisaarit dhe pastaj do të sigurohet njohja për ta dhe ajo e ka pranuar pakon si kompromisin e fundit. Në anën tjetër, të marrë përsipër një veprim që të deklarohet se është e gatshme që të implementoj e vetme marrëveshjen, Kosova mund të sigurojë ndoshta një valë njohjesh të reja nga Bashkimi Evropian por nuk mund të përmbyllë aspiratën e saj”, shprehet Imeri.
Vazhdimësi të këtij procesi nuk shohin as nga Serbia.
Gazetari hulumtues nga Beogradi, Milan Radonjic thotë se nuk ka vullnet as nga Bashkimi Evropian.
“Nuk shoh që vazhdimi i atij dialogu është diçka që do të ndodhë, sidomos për krejt ato kriza që ndodhin në nivel global. Mendoj që Ballkani dhe çështjet e Ballkanit, gjatë muajve a viteve të ardhshme s’do të vendosen si prioritet. Nuk shoh që regjimi në Beograd a Prishtinë, të jenë iniciues të këtij dialogu. E në këtë moment nuk shoh një ndërmjetësues të vullnetshëm për t’i ulur të dy palët e të vazhdojnë bisedat. Por, njëkohësisht shohim që gjithçka ka përfunduar në atë që ka qenë në rend të ditës. Marrëveshja veç është arritur në aspektin e ngjarjeve në terren që ecin shumë më para se atyre bisedave”, thotë ai.
Vizita e fundit e Sorensenit në Prishtinë ishte më 22 tetor, me kryenegociatorin Besnik Bislimi.
Sipas njoftimit nga Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Sorensen me Bislimin diskutuan rreth rrugës përpara drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.






