Ka dështuar për herë të 41-të përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sot sërish ka kërkuar nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryparlamentarit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Nga deputetët që ishin në sallë, 54 votuan për, kurse kundër dhe abstenim nuk pati.
Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën e 5 korrikut në orën 11:00.
Ndryshe, vazhdimi i seancës të enjten ka ardhur një ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, zhvilloi takime të ndara me krerët e partive parlamentare shqiptare, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale.
Presidentja takoi të mërkurën në kabinetin e saj, kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Osmani bëri thirrje që të arrihet “sa më shpejt” pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, u tha në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Pas takimit me Osmanin të mërkurën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se do “të bëjë çmos” që legjislatura e nëntë të konstituohet para javës së fundit të korrikut, kur edhe përfundon afati tridhjetë ditor i paraparë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se e kanë gati lëndën për dërgim në Gjykatën Kushtetuese për “shkeljet kushtetuese të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje në dy seancat e fundit”.
Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se LVV-ja po vepron në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij, e ndalon votimin e fshehtë të zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Të mërkurën gjithashtu, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta qartësuar nëse Lëvizja Vetëvendosje si grupi më i madh parlamentar në Kuvend ka shkelur aktgjykimin e këtij institucioni, sa i përket ngërçit politik në Kuvend.
Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari dhe LVV-ja kanë shkelur rendin kushtetues në dy seancat e fundit konstituive, duke mos respektuar vendimin e Kushtetueses.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten, tha se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri në rikthimin e votimit të hapur për kandidatin për kryeparlamentar.
Kjo është seanca e katërt që mbahet pas akgjykimit të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit Brenda 30 ditësh.