Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me drejtues të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe ministrin e Rinisë e Sportit,Blerim Gashani, morën pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të xhudos në vend, duke reflektuar përkushtimin institucional për avancimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e talenteve të reja. Ndërtimi i kësaj qendre përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të kushteve bashkëkohore për sportistët, duke mundësuar përgatitje më cilësore, zhvillim profesional dhe rritje të kapaciteteve konkurruese në nivel ndërkombëtar.
Qendra Nacionale e Xhudos do të shërbejë si një hapësirë moderne dhe funksionale për përgatitjen e sportistëve elitarë dhe të rinj, duke kontribuar drejtpërdrejt në kultivimin e talenteve të reja dhe në vazhdimin e traditës së sukseseve që Kosova ka arritur në këtë sport. Ky investim dëshmon përkushtimin e institucioneve për të mbështetur sportin si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror dhe përfaqësimit dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësministrja e Sportit dhe Rinisë, Daulina Osmani, Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, trajneri i mirënjohur Driton Kuka, si dhe kampionët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova.









