Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të hënën në një xhami në fshatin Shipashnicë e Poshtme, në komunën e Kamenicës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, një person i panjohur ka depërtuar në objektin e xhamisë, ku me forcë ka thyer kasafortën dhe ka marrë rreth 300 euro para të gatshme në monedha metali.
Rasti është zbuluar nga ankuesi përmes kamerave të sigurisë, të cilat kanë regjistruar momentin e hyrjes së të dyshuarit në objekt.
“Me 06.04.2026 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se përmes kamerave ka vërejtur një person që kishte hyrë në objektin e xhamisë dhe me forcë e ka thyer kasafortën, nga ku ka vjedhur 300 euro kesh (monedha metali)”, thuhet në raportin e Policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Ndërkohë, një rast i ngjashëm është raportuar edhe në një xhami në fshatin Topanicë.
Imami i xhamisë ka bërë të ditur se persona të panjohur kanë hyrë me forcë në objekt dhe kanë dëmtuar kasafortën, por nuk kanë arritur të marrin asgjë.
“Me 06.04.2026 ankuesi mashkull kosovar – imam i xhamisë, ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë thyer – dëmtuar kasafortën e xhamisë, por nuk kanë arritur të përvetësojnë diçka. Është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore”, bëhet e ditur në raportin policor.
Po ashtu, një tjetër tentativë vjedhjeje është raportuar në fshatin Rogoqicë.
Sipas imamit, përmes kamerave të sigurisë është vërejtur një person i dyshuar duke hyrë në xhami dhe duke tentuar të hapë kasafortën me mjete të forta, por pa sukses.
“Me 06.04.2026 ankuesi mashkull kosovar – imam i xhamisë, ka raportuar se përmes kamerave, ka vërejtur se një person kishte hyrë në objektin e xhamisë dhe ka tentuar të thyej kasafortën me mjete të fort, a por pa sukses (nuk ka arritur të thyej, vetëm e ka dëmtuar). Është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së.
Në të dy rastet, kasafortat janë dëmtuar, ndërsa nuk raportohet për para të vjedhura.







