Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj qytetarëve që do të protestojnë për drejtësi në lidhje me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Tiranë, duke theksuar se qëndrimi i saj për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.
Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ka kujtuar se themelimi i Gjykatës Speciale nisi që në vitin 2008 me një rezolutë të Këshillit të Evropës, e propozuar nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, dhe u miratua në vitin 2011 me propozim të senatorit zviceran Dick Marty.
VV-ja ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, duke i kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë për ekzistencën e një grupi kriminal brenda saj.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje tutje i ka bërë thirrje aktorëve dhe politikanëve që sot kundërshtojnë Gjykatën Speciale të reflektojnë mbi qëndrimet e tyre të kaluara, duke përmendur edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili në vitin 2015 kishte mbështetur themelimin e kësaj gjykate.
“Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate. Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë”, theksohet në komunikatë.
Sipas VV-së, institucionet e Shqipërisë dhe shtetet mike të Kosovës kanë përgjegjësi që këtë çështje ta ngrenë në forume ndërkombëtare si OKB, Këshilli i Evropës, OSBE, NATO dhe Bashkimi Evropian, dhe jo në sheshe publike si ai “Skënderbe” në Tiranë.
“Institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë”, nënvizohet në komunikatë.
Po ashtu VV ka vlerësuar se shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës së Kosovës për të çuar përpara drejtësinë.
“Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin”, thuhet në fund të komunikatës.