Kështu u tha në prezantimin e raportit vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare nga monitorimi i gjykimeve mbi krimet e luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht gjatë vitit 2021.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se kanë monitoruar 50 seanca gjyqësore në rastet e krimeve të luftës dhe 20 seanca që lidhen me vepra penale që lidhen me prapavijë politike.
“Dy persona janë arrestuar me dyshimet për krime të luftës. Gjatë kësaj periudhe janë procesuar pesë raste kundër gjashtë personave… në raportin vjetor për 2021 i përbën 13 analiza të proceseve gjyqësorë që ndërlidhen me krime të luftës 10 prej këtyre rasteve janë të krimeve të luftës. Është i mjaftueshëm për ta përshkruar se gjendja nuk është e kënaqshme, ku vetëm një person është akuzuar për krime të luftës për vitin 2021. 70 persona janë dënuar nga institucionet në Kosovë”, ka prezantuar ai raportin.
Udhëheqësja e departamentit për krime lufte, Drita Hajdari theksoi se kanë sfida të mëdha në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës. Ajo nuk është pajtuar me raportin.
“Prokuroria ka hetuar rastet ku e kemi siguruar praninë fizike të pandehurit. Ne nuk mund të ngrisim aktakuzë për personat që nuk janë të pranishëm. Kur thuhet që gjatë vitit 2021 është ngritur vetëm një aktakuzë, kjo mund të tingëllojë se nuk po punohet. Unë konsideroj që gjykimi në mungesë është i nevojshëm, edhe nga aspekti i drejtave të viktimave”, ka thënë ajo.
Në tryezën me temën “Pengesat aktuale në procedimin e krimeve të luftës në Kosovë”, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott tha se sfidë për vendosjen e drejtësisë është se shumë nga kryerësit e veprës nuk janë në Kosovë.
“Shumë të mbijetuar kanë vdekur, ose janë shumë të moshuar që mund ta bëjë marrjen në pyetje të pabesueshme dhe të vështira. Trajtimi i këtyre sfidave është esencial. Kërkesa e familjarëve është që kryerësit e veprës të burgosen. Vetëm 213 persona janë akuzuar dhe vetëm 71 janë dënuar. 23 nga fundi i krimit, familjarët kanë të drejtë të dinë për fatin e familjarëve të tyre. Viktimat nuk duhet të jenë viktimë të politikës. Është mirë që dëgjojmë nga qeveria që kjo është prioritet nga këta. Ne gjithashtu mirëpresim rritjen e numrit të prokurorëve”, tha ai.
Pauline Menthonex Gacaferri, e cila është zëvendëshefe e misionit nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, theksoi se viktimat e krimeve të luftës kanë të drejtë për drejtësi.
“Shteti ka për detyrë për të hetuar shkeljet e drejtave të njeriut. Kultura e pandëshkrueshmërisë mund ta grryejnë paqen, në kontekst të Ballkanit Perëndimor dhe duke vonuar integrimin në Bashkimin Evropian”, ka theksuar ajo.
E shefi i seksionit për Çështje Juridike dhe Këshillimor për Sundimin e Ligjit në Zyrën e Bashkimit Evropian, Hakan Ejdevervik tha se janë duke mbështetur procesin me mbi katër milionë euro.
“Katër raste janë që nga viti 2018 dhe këto janë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe asnjë seancë nuk është mbajtur për këto raste”, ka theksuar ai, derisa ka folur për proceset gjyqësore./KP