Por, pjesëtarët e KFOR-it letonez, nuk ishin të vetmit që të mërkurën u panë në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë.
Këtu gjatë gjithë kohës po patrullon edhe KFOR-i amerikan.
Ndërsa nuk mungon edhe patrullimi me mjete të rënda.
E as monitorimi nga ajri me helikopter.
Pak kilometra me tutje, qytetarët po lëviznin lirshëm nga njëri shtet në tjetrin.
Ndërsa ata që hynin nga Serbia për në Kosovë po vazhdonin që simbolet shtetërore t’i mbulonin me stikera.
Ndërkohë në një përgjigje me shkrim për Tëvë1, nga EULEX-i kanë thënë se atmosfera në veri është e tensionuar.
“Njësia jonë e formuar policore, e përbërë nga 105 policë, po kryen patrullime ditore të vëzhgimit në veri të Kosovës për të rritur vetëdijen tonë për situatën.
Aktualisht situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë, por atmosfera është e tensionuar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Në fund, nga EULEX kanë thënë se nëse kërkohet nga Policia e Kosovës, janë të gatshëm të veprojnë me vendosmëri si reagues i dytë i sigurisë.
Kronika e gazetarit Fidan Zejnullahu.