Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e ka gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore gjyqtarin Agim Kuçi i cili ia kishte ndërprë masën e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqës- e që ende gjendet në arrati, duke i shqiptuar vërejtje publike me shkrim dhe ulje të pagës për 20% për periudhën gjashtëmujore.
“Për këtë shkelje disiplinore gjyqtarit Agim Kuqi i shqiptohet sanksioni disiplinor vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës për njëzet përqind (20%) për periudhën kohore prej gjashtë (6) muaj. III. Revokohet vendimi i KGJK-së me numër KGJK.nr. 124/2024, i datës 21 maj 2024, për suspendimin e gjyqtarit Agim Kuqi“, thuhet në vendim.
Enver Sekiraqa ishte arratisur më 19 maj të vitit të kaluar, për të cilin rast Tëvë1 kishte raportuar ekskluzivisht.
Në vendimin e marrë më 24 janar 2025, thuhet se më 20 janar 2024 ishte pranuar kërkesa për fillim të hetimeve disiplinore ndaj këtij gjyqtari, me pretendimin se mund të ketë kryer shkelje disiplinore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Aty theksohet se pasi Sekiraqa ishte dënuar me 25 vjet burgim, me aktvendim i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe ishte lënë të mbrohet në liri. Kurse, Apeli kishte aprovuar ankesën e
Prokurorisë Speciale dhe të njëjtit ia kishte caktuar masën e paraburgimit, por thuhet se gjykatësi Kuçi nuk kishte lëshuar urdhëresë për ekzekutimin e aktvendimit të Apelit.
“… mirëpo gjyqtari e ka dërguar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Stacionin Policor të Veriut përmes postës elektronike respektivisht e-mailit, që i njëjti t’i dorëzohet personalisht të dënuarit E.S. Përkundër se gjyqtari ka qenë i njoftuar brenda orarit të punës se i pandehuri nuk gjendet në shtëpi dhe është arratisur, i njëjti nuk ndërmerr asnjë veprim për të lëshuar Urdhër arrest apo Letër rreshtim ndërkombëtar për ta lokalizuar dhe ndaluar të pandehurin“, thuhet në vendim.
Andaj, autoriteti kompetent kishte kërkuar fillimin e hetimeve disiplinore që të vërtetohet nëse gjyqtari ka kryer veprime në kundërshtim me rregullat e Kodit të Procedurës Penale si dhe Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore, duke propozuar që të suspendohet deri në përfundim të procedurës disiplinore.
Sipas vendimit, Këshilli më 21 maj 2024 ka themeluar panelin hetimor dhe në të njëjtën mbledhje, gjyqtari Kuçi ishte suspenduar përkohësisht nga detyra në mënyrë që procedura hetimore të kryhej pa ndikuar. Ndaj vendimit për suspendim, gjykatësi ishte ankuar në Supreme, por kjo e fundit kishte refuzuar ankesën e tij.
Në të njëjtën kohë thuhet se paneli hetimor, ka mbledhur të gjitha provat e nevojshme materiale lidhur me çështjen.
Këshilli, më 12 shtator 2024, thuhet se ka caktuar dhe mbajtur seancën dëgjimore dhe se gjyqtari Kuçi përmes avokatit mbrojtës të tij është deklaruar se e konsideron veten të pafajshëm lidhur me pretendimet e ngritura me dyshimet për shkelje disiplinore.
Pas prezantimit të raportit, Këshilli ka ngritur disa çështje të cilat duhej të trajtoheshin nga paneli hetimor duke zgjatur afatin e hetimit edhe për dy muaj.
Kryesuesja e panelit hetimor, gjyqtarja Kaltrinë Haliti, në seancën dëgjimore të mbajtur më 23 janar 2025, kishte deklaruar se mbetet në tërësi pranë raportit plotësues të hartuar me shkrim dhe të dorëzuar në Këshill. Paneli thuhet se sipas udhëzimeve të dhëna nga Këshilli ka bërë mbledhjen e të gjitha provave materiale shtesë. Ndër të tjera, përmendet edhe raporti për këshillim dhe votim.
“Të dy anëtarët e trupit gjykues janë deklaruar se kanë qenë në konsultime të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe sa i përket ndërmarrjes së veprimeve në këtë lëndë dhe se ky vendim është marrë si trup gjykues pas konsultimeve paraprake lidhur me të njëjtin. Mbi bazën e të gjitha provave të cekura dhe materialeve të bashkangjitura këtij raporti konsideroj se paneli hetimor ka përmbushur detyrat e caktuara nga mbledhja e fundit dhe ka vënë në dispozicion të gjithë informacionet që kanë mundur të sigurohen për veprime të mëtutjeshme lidhur me këtë çështje disiplinore”, thuhet në vendim.
Në këtë çështje disiplinore, Këshilli administroi provat dhe pas procesit hetimor, respektivisht raportit të panelit të hetimit dhe mbajtjes së seancës dëgjimore, në lidhje me pretendimet për shkelje disiplinore, ka gjetur se gjyqtari është përgjegjës për shkelje disiplinore.
Aty thuhet se nuk është shqyrtuar ligjshmëria e vendimmarrjes, por është shqyrtuar dhe vlerësuar nëse gjatë trajtimit të çështjes në fjalë është ruajtur integriteti i procesit gjyqësor, integriteti i gjykatës dhe nëse është nxitur besimi i publikut me veprimin e gjyqtarit.
Sa i përket masës për prezencën e të pandehurit në procedurë, KGJK-ja thekson se nuk ka bërë vlerësim për ligjshmërinë e mënyrës së vendosjes, por ka vlerësuar mënyrën se si gjyqtari i çështjes në kapacitetin e kryetarit të kolegjit e ka administruar procesin për sigurimin e të pandehurit në procedurë.
“Nga provat e administruara ka rezultuar se kryetari i kolegjit është konsultuar me anëtarët e kolegjit sa i përket masës për sigurimin e të pandehurit në procedurë edhe gjatë procedurës por edhe në rastin e vendosjes meritore të çështjes, mirëpo janë gjetur parregullsi respektivisht administrim jo i mirë i procesit pasi që këshillimi/votimi për masën me rastin e vendosjes meritore nuk është pasqyruar në vendimin e gjykatës dhe gjithashtu nuk është pasqyruar në mënyrë të rregullt as në aktgjykimin burimor“, thuhet në vendim.
Këshilli gjen se parregullsi lidhur me administrimin e procesit me rastin e vendimmarrjes meritore për çështjen, janë konstatuar edhe në procedurën e hartimit të aktgjykimit burimor respektivisht në formën dhe përmbajtjen e aktgjykimit.
Sipas vendimit, kryetari i kolegjit ka ndjekur një standard individual, por jo të përligjur në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Kurse, sa i përket komunikimit ex-parte, nga gjyqtari është konfirmuar se autorizimi i mbrojtësit të të pandehurit nuk është pranuar në procedurë protokollare sipas rregullave për komunikimin e palëve dhe përfaqësuesit e tyre me gjykatën.