Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Budapest, ku në foks të takimeve ka qenë investimi i qëndrueshëm në inovacion dhe forcimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.
Vengu zhvilloi një takim në zyrat qendrore të Pro Patria Electronics, kompani e njohur për ekspertizën e saj në fushën e radarëve dhe sistemeve për mbrojtjen e infrastrukturave kritike.
Gjatë takimit u njohën nga afër kapacitetet teknologjike dhe modeli i zhvillimit industrial që kjo kompani përfaqëson.
“Hungaria është një shembull i qartë se si investimi i qëndrueshëm në inovacion dhe në industrinë e mbrojtjes prodhon kapacitete reale dhe vlerë strategjike në Europën Qendrore. Vizita në Budapest nisi me një takim në zyrat qendrore të “Pro Patria Electronics”, një kompani e suksesshme në fushën e radarëve dhe sistemeve për mbrojtjen e infrastrukturave kritike, si model konkret i zhvillimit industrial dhe teknologjik. Synimi ynë është i qartë: integrimi i industrisë shqiptare të mbrojtjes në zinxhirët e furnizimit dhe inovacionit të vendeve aleate, për të ndërtuar aftësi të qëndrueshme, të besueshme dhe plotësisht ndërvepruese”, shkruan Vengu.
Synimi i kësaj vizite është integrimi i industrisë shqiptare të mbrojtjes në zinxhirët e furnizimit dhe inovacionit të vendeve aleate, me qëllim ndërtimin e aftësive të qëndrueshme, të besueshme dhe plotësisht ndërvepruese për forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura.









