Në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicën Veriore të martën u vendos gurthemeli i shkollës së re fillore, një projekt që shënon një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor për nxënësit e kësaj ane.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, si dhe këshilltari i lartë politik i ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Muhedin Nushi.
Në fjalën e tij, ministri Sveçla theksoi se ky është projekti i radhës në fushën e infrastrukturës arsimore, pas vendosjes së gurthemelit të çerdhes dhe shkollës që u zyrtarizuan muajin e kaluar.
Kryetari Atiq bëri me dije se shkolla e re ndërtohet në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet MAShTI-t dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ai shtoi se investitori i projektit është MAShTI, ndërsa objekti do të ketë sipërfaqe prej 1,920 m², do të mundësojë pritjen e 350 nxënësve, me një vlerë investimi prej 2,320,160.92 euro dhe afat ndërtimi prej 15 muajsh.
Këshilltari i lartë politik, Muhedin Nushi, theksoi se ky projekt është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të ofruar kushte sa më të mira për arsimin e fëmijëve.
“Ky gurthemel nuk është vetëm fillimi i një ndërtese të re, por edhe i një hapësire ku do të lindin ëndrrat, dijet dhe e ardhmja e brezave të rinj të kësaj zone,” tha Nushi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nga viti 2021, MAShTI ka investuar gjithsej 162,459,258.07 euro në infrastrukturë arsimore në tërë territorin e Kosovës, ndërsa vetëm për ndërtimin dhe renovimin e shkollave janë shpenzuar mbi 75 milionë euro në 34 komuna.
Këto investime do të vazhdojnë me qëllim të krijimit të kushteve moderne dhe cilësore për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet.
 
			








