Ishte nisur si çdo ditë të zakonshme për në punë.
Por kjo e premte doli të jetë fatale për një 55-vjeçar, punonjës i Korporatës Energjetike të Kosovës.
Kjo pasi brenda oborrit të Termocentarlit “Kosova B”, ndodhi një incident i rëndë i cili për pasojë i mori jetën.
Rastin u konfirmua nga Korporata Energjetike e Kosovës.
“Sot në Termocentralin ‘Kosova B’ ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës. Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda. Në vendngjarje menjëherë kanë dalur zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë”, thuhet nga KEK.
Ndërkohë burime të tëvë1 bënë të ditur se personi që drejtonte kamionin ishte pjesë e një kompanie të nënkontraktuar nga KEK-u.
Ndërsa dyshohet se vozitësi i kamionit nuk e kishte parë viktimën teksa po e kthente automjetin prapa.
Për rrethanat në të cilat ndodhi i gjithë rasti, nuk dha detaje kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.
Mirëpo u shpreh se Policia është duke zhvilluar hetimet.
“Është një vdekje tragjike që ka ndodh, që s’kemi dëshirë asnjëherë me pa kësi raste të rënda si për kolegët ashtu edhe për familjen, edhe për neve është e dhimbshme. Me këtë rast shprehi ngushëllime kolegëve dhe gjithë familjarëve sepse është diçka e papritshme dhe normalisht e rëndë për ne”, u shpreh ai.
Televizioni ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.




