Ky është momenti kur pesë zyrtarë policorë tentojnë të arrestojnë të riun 27 vjeçar, Agon Zejnullahu në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan në orët e para të së hënës.
E pak pasi u arrestua nga autoritetet nën dyshimin se po sulmonte automjete e kalimtarë, gjendja shëndetësore e të riut u përkeqësua.
Ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Një ditë pas, familja e tij në fshatin Banullë të Lipjanit ka hapur të pamet.
Vëllau i tij, Alban Zejnullahu thotë që 27 vjeçari kishte shenja të dhunës në trup.
“Kur e kem hapë kufomën e vëllait ka qenë i qarë në vetull, në kokë me brinjë të thyer. Autopsia nuk na kanë dorëzuar ende. Dje jemi shkuar bashkë me avokatin në IML nuk kanë pranuar me u paraqit mjekët apo çka janë ata, e kemi kërkuar edhe emrin e prokurores e kanë fshehur edhe atë. E gjetëm një, shkuam atje para orës 14:00, por thanë që ka ecë dhe s’është në punë. Shenja ka pasur në gjithë trupin, unë i kam fotografitë që i kam bërë masi që e kemi marrë kufomën, në rast nevoje nëse vyjnë ndonjëherë unë i kam të ruajtura fotografitë”, ka thënë vëllau i Agonit, Alban Zejnullahu.
Albani rrëfen momentin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare kur i kanë treguar se vëllau i tij ka ndërruar jetë.
“Pas orës 1 të mesnatës na kanë telefonuar dikush nga stacioni policor me ardhë në emergjencë shkaku i vllaut. Na e morëm si aksident edhe pse ke thirrje e policisë për me shku në emergjencë, s’o e lehtë e morëm pak si relaks. Nuk na informojë askush derisa hymë brenda te shtretërit aty ku shtrihen pacientët, e pamë një çarçafë mbi vëllaun tonë, me mua ke edhe babi, ai i pyeti: pse e keni vendosur këtë çarçafë? Tha: Ka ndërruar jetë. Në atë moment u përkeqësua situata edhe e babës edhe e imja. Sepse, ke shumë e papritur. Situata aty ke shumë e çuditshme. Lipjani nuk është qyteti i madh. Ne njihemi gati me të gjithë policët. Nuk u afrua asnjëri prej tyre. Kam pasur me shumicën raporte dhe i kam përshëndetur në rrugë. Nuk u afruan, s’na thanë as ngushëllime. U shmangën”, ka shtuar tutje Zejnullahu
Zeneli kërkon drejtësi për të vëllain.
Inspektorati Policor i Kosovës i ka suspenduar pesë zyrtarët policor nga puna.
Por ata rrezikojnë edhe paraburgimin nga Prokuroria Themelore, pasi u arrestuan për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
“Prokurori kujdestar brenda afatit ligjor do të bëjë parashtrimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit. Ai është duke e përgatitur kërkesën”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Kaltrin Shala.
E të martën, zë nuk pati nga QKMF-ja në Lipjan.
Për këtë rast, hetim kërkoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla.
“Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, ka thënë Sveçla.
Edhe ministrja në detyrë e drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se po presin raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast”, ka thënë Haxhiu.
Edhe Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me rastin e 27-vjeçarit në Lipjan, për të cilin janë arrestuar pesë zyrtarë policorë nën dyshimet për “vrasje nga pakujdesia”.
Përmes një komunikate, Avokati i Popullit ka njoftuar se ka hapur procedurë hetimore për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, 27 vjeçari Agon Zejnullahu ishte i dehur dhe i sulmonte veturat me gurë gjatë lëvizjes.