Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka folur për rastet e fundit të vrasjeve në vend, duke i cilësuar ato si mjaft shqetësuese dhe alarm për institucionet e sigurisë.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ai tha se trendi i vrasjeve është në rritje dhe kërkon reagim serioz nga mekanizmat shtetërorë.
“Vrasje të tilla janë mjaft shqetësuese. Trendi i tillë në rritje, normalisht që përbën një alarm serioz për mekanizmat e shtetit. Pavarësisht që këto raste janë të vështira për t’u hetuar, nuk mund të ketë komoditet nga ana e institucioneve ndaj këtyre rasteve”, ka deklaruar Hoxha.
Ai gjithashtu ka ngritur shqetësimin për numrin e madh të armëve ilegale në vend.
“Në bazë të shumë raporteve, numri i armëve ilegale në duart e qytetarëve tanë është rreth 300 mijë. Ky është një numër shumë i madh dhe shteti duhet ta vëjë nën kontroll këtë situatë. Kjo mund të bëhet duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duke i përshtatur ato me rrethanat në vend”, është shprehur ai.
Sipas Hoxhës, menaxhimi i këtij fenomeni mbetet një nga sfidat kryesore për sigurinë publike në vend.







