Si 17-vjeçar iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E emblemën e kësaj të fundit, e mban në ballë të dhomës së ndejës.
Por, angazhimi i ish-komandant Pllumit për paqe, nuk u ndal me përfundimin e luftës.
Madje, për të së fundmi Federata Universale e Paqes ndau edhe çmimin “Ambasador Paqeje” në Tiranë.
Arsye për këtë, u bë iniciativa e Arton Hotit, për dërgim të ndihmave në Shqipëri, pas tërmetit në vitin 2019.
“Gjatë tërmetit që ishte në Shqipëri isha personi i parë që dola te Grandi dhe para të gjitha mediave kërkova ndihma për t’i dërguar njerëzve që kishin mbetë në dimër të ftohtë jashtë pa shtëpi, iu ofrova afërsisht 10 kamionë me ndihma, batanije, veshmbathje, ushqime e gjëra të ndryshme”, u shpreh Hoti.
Hoti tregon po ashtu se për këtë çmim u nderua edhe për kontributin e pajtimit e gjaqeve mes disa familjeve nga Shqipëria dhe Kosova.
“Jam i përfshirë në pajtimin e gjaqeve, afërsisht deri tash i kemi pajtu 17 familje që kanë pasë probleme telashe mes veti… Ka qenë një familje e Tropojës, që ka pasë ngatërresë fatkeqësisht ka pasë aksident fatal me makinë por unë kam arritë me i pajtu mes vete”, ka thënë tutje Hoti.
Titulli Hotit iu nda me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa shton se titullin ua dedikon ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Po atë ditë nga padrejtësitë që po na i bën bota, ka qenë një protestë e jashtëzakonshme në Prishtinë, dhe me emocione të jashtëzakonshme e kam marrë këtë titull të cilin ia dedikojë krerëve UÇK-së, dëshmorëve dhe të gjithë invalidëve dhe bashkëluftëtarëve të mi të cilët luftuan dhe dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës”, përfundoj Hoti.
Hoti kishte shërbyer në UÇK në disa zona lufte, por edhe kishte bartur armatim nga Shqipëria gjatë luftës.






