Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, UNICEF-i në Kosovë shënoi 30 vjet partneriteti dhe përparimi për fëmijët dhe të rinjtë.
Në Kosovë, UNICEF-i dhe partnerët reflektuan mbi tri dekada arritjesh në një ngjarje, ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë, partnerë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile, fëmijë dhe të rinj.
Veronika Vashchenko, shefe e UNICEF-it në Kosovë, theksoi se fëmijët janë i vetmi qëllim që organizata ka.
“Një nga drejtuesit më frymëzues të UNICEF-it në histori, James Brown, tha dikur diçka që përmbledh në mënyrë të përsosur zemrën dhe qëllimin e UNICEF-it, të organizatës sonë. Ai tha: ‘Ne filluam me fëmijët’. Kjo është, në fund të fundit, aty ku UNICEF fillon — me fëmijët, dhe në këtë rast, këta fëmijë përfaqësojnë edhe vendin ku shpresojmë të përfundojmë. Me fëmijë të ndritur, të lumtur, të vëmendshëm, plot energji dhe gëzim. Ne nuk kemi asnjë synim tjetër përveç fëmijëve. Në vitin 1995, UNICEF filloi punën këtu në Kosovë, dhe ajo që nisi si një përgjigje emergjente është shndërruar në një përpjekje të përbashkët, një partneritet me fëmijët e Kosovës, familjet e tyre dhe institucionet”, tha Vaschenko.
UNICEF-i gjithashtu ndau histori nga të rinj, fëmijë dhe familje nga e gjithë Kosova që kanë përfituar nga mbështetja për zhvillimin e hershëm dhe arsimimin, vizitat në shtëpi, programet për zhvillimin e aftësive të të rinjve dhe iniciativat për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, duke treguar se si investimet afatgjata sjellin ndryshime të qëndrueshme.
Raporti i ri global i UNICEF-it, i publikuar sot, zbulon një realitet alarmant: më shumë se 400 milionë fëmijë në mbarë botën jetojnë në varfëri, të privuar nga të paktën dy nevoja thelbësore si ushqimi, higjiena ose arsimi.
Konfliktet, presionet klimatike dhe ulja e investimeve në shërbimet kryesore po i vënë edhe më shumë fëmijë në rrezik.
Që nga viti 1995, UNICEF-i ka mbështetur arritje kyçe për fëmijët në Kosovë, duke përfshirë rindërtimin e 140 shkollave, duke mundësuar kthimin në klasë të 100 mijë fëmijëve, zhdukjen e poliomielitit dhe zgjerimin e Programit të Vizitave në Shtëpi, duke ofruar mbështetje jetike shëndetësore dhe zhvillimore për foshnjat dhe prindërit, mbështetjen për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe avokimin për sigurimin e 330 pozitave të mësuesve asistentë për edukim gjithëpërfshirës.







