Ukraina shënoi Ditën e Pavarësisë të dielën, duke përkujtuar shpalljen e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Ceremonitë u mbajtën në një atmosferë reflektimi dhe vendosmërie, ndërsa konflikti me Rusinë vijon.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim nga Sheshi i Pavarësisë në Kiev, duke theksuar vendosmërinë e kombit përballë agresionit rus.
“Sot Ukraina feston Ditën e Pavarësisë. Duke luftuar, duke u mbrojtur kundër sulmeve dhe alarmeve ajrore. Dhe, shumë e rëndësishme, ne jemi të fortë dhe jo vetëm. Çdo ditë, ne po e shtyjmë këtë luftë përsëri aty nga erdhi, në qiellin dhe tokën ruse”, tha Zelensky.
Në ceremoninë në Kiev mori pjesë edhe i dërguari special i SHBA-së, Keith Kellogg, të cilit Zelenskyy i dorëzoi Urdhrin e Meritës Ukrainase të shkallës së parë, si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen amerikane.
Ndërkohë, qytetarët ukrainas reflektonin mbi kuptimin e thelluar të pavarësisë në kohë lufte
“Nga njëra anë, më parë, kur e dinim për pavarësinë si të tillë, ajo kishte më shumë një karakter deklarativ. Ishte thjesht diçka që ekzistonte. Tani pavarësia është një koncept shumë i dhimbshëm. Sepse në sfondin e këtyre vështirësive, e përsëris, dikush mund të pyesë se ku është kjo pavarësi, ku qëndron. Por ne nuk kemi të drejtë të mendojmë në atë mënyrë, e lëre më ta themi”, tha ukrainasi Serhii Faifura.
Ndërsa Ukraina kremtonte, Rusia akuzoi Kievin për sulme me dron gjatë natës ndaj infrastrukturës energjetike në rajonin perëndimor të Kurskut, përfshirë një transformator në një central bërthamor.
Zyrtarët rusë njoftuan se zjarri u vu nën kontroll dhe nivelet e rrezatimit mbetën normale.
Sipas një raportimi të Wall Street Journal, SHBA-ja thuhet se ka vendosur në heshtje kufizime ndaj përdorimit nga Ukraina të raketave me rreze të gjatë veprimi të prodhuara nga amerikanët, duke ndaluar goditjet brenda territorit rus.
Përpjekjet diplomatike për paqe kanë stagnuar, pavarësisht disa takimeve të nivelit më të lartë gjatë javëve të fundit.
Presidenti amerikan, Donald Trump raportohet se ka tentuar të ndërmjetësojë një takim direkt midis Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyyt, por iniciativat nuk kanë sjellë përparim konkret.