Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ka udhëzuar agjencitë federale të deklasifikojnë dhe publikojnë dokumente qeveritare që lidhen me jetën jashtëtokësore dhe fenomene të tjera ajrore të pashpjeguara.
“Bazuar në interesin e jashtëzakonshëm të treguar, do të udhëzoj sekretarin e Luftës dhe departamentet e agjencitë përkatëse që të nisin procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO), si dhe çdo informacion tjetër të lidhur me këto çështje shumë komplekse, por tejet interesante dhe të rëndësishme”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Dje gjatë ditës, Trump pretendoi se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, kishte bërë publike informacione të klasifikuara kur konfirmoi ekzistencën e jetës jashtëtokësore.
“Ai dha informacione të klasifikuara. Nuk duhej ta bënte këtë”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One.
“Bëri një gabim të madh. I nxori nga informacionet e klasifikuara. Nuk kam ndonjë opinion për këtë. Unë nuk flas kurrë për këtë. Shumë njerëz e bëjnë. Shumë njerëz besojnë”, shtoi ai.
Trump shtoi se mund “ta nxjerrë nga telashi duke deklasifikuar” informacionin, megjithëse mbeti e paqartë se cilave materiale iu referua kur akuzoi Obamën për zbulim të të dhënave të klasifikuara.
Interesi për jetën jashtëtokësore është rritur ditët e fundit pasi ish-presidenti Obama, gjatë një bisede në podkastin e amerikanit Brian Tyler Cohen tha se alienët janë “të vërtetë”.
“Janë të vërtetë, por unë nuk i kam parë”, tha ai në podkastin e publikuar të shtunën.
“Ata nuk mbahen në ‘Zonën 51’. Nuk ka ndonjë objekt nëntokësor, përveç nëse ekziston një komplot gjigant dhe kjo i është fshehur presidentit të SHBA-së”, shtoi ai.
Në një deklaratë pasuese në rrjetin Instagram, Obama sqaroi se komentet e tij ishin bërë “në frymën e përgjigjeve të shpejta”.
“Statistikisht, universi është aq i madh sa gjasat që të ketë jetë diku tjetër janë të larta. Por distancat mes sistemeve diellore janë aq të mëdha sa gjasat që të jemi vizituar nga alienë janë të ulëta dhe gjatë presidencës sime nuk pashë asnjë provë për kontakte jashtëtokësore. Vërtet!”, tha ai.
‘Zona 51’ është një objekt shumë i klasifikuar i Forcës Ajrore të SHBA-së i në Nevadan jugore. Megjithëse prej kohësh është subjekt teorish konspirative mbi alienët, funksioni i tij i pranuar zyrtarisht është testimi i avionëve.











