Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Marina e Shteteve të Bashkuara do të fillojë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit “menjëherë” pasi bisedimet e paqes midis SHBA-së dhe Iranit në Pakistan përfunduan pa një marrëveshje .
Trump, në një postim në rrjetet sociale të dielën, akuzoi Iranin për “zhvatje” dhe tha se Marina Amerikane do të gjurmojë dhe ndalojë anijet në ujërat ndërkombëtare që i kanë paguar Iranit një taksë për të kaluar ngushticën.
“Duke hyrë menjëherë në fuqi, Marina e Shteteve të Bashkuara, më e Mira në Botë, do të fillojë procesin e BLLOKIMIT të çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit.”
Garda Revolucionare iraniane ka reaguar duke thënë se ngushtica mbetet nën kontroll të plotë Iranian, duke paralajmëruar pasoja serioze ndaj çdo ndërhyrjeje ushtarake.
Që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, Teherani ka kufizuar qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit, korridor përmes të cilit transportohet rreth 20 për qind e naftës globale.
Situata ka shkaktuar tronditje në tregjet ndërkombëtare, rritje të çmimeve të energjisë dhe përdorim të rezervave strategjike nga disa shtete për të përballuar mungesat.









