“Shoferët, me vështirësi, binden të dërgojnë mallra në Kosovë. Ata hezitojnë, sepse ndodh që mbeten pa pauzë e pa ushqim”, thotë Nasuf Hoti, pronar i një kompanie me qendër në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, problem është koha e shkurtër – prej vetëm tri orësh – për të cilën shoferët e kamionëve me mallra duhet të arrijnë nga pika kufitare ku hyjnë në Kosovë, deri te terminali për zhdoganimin e mallrave. Në të kundërtën, gjobiten.
Kosova ndan pika kufitare me katër shtete të rajonit: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi.
Në pikat kufitare bëhet deklarimi i dërgesave komerciale që hyjnë në Kosovë dhe ato, pastaj, plumbohen ose mbyllen me dry, derisa të arrijnë në njërin prej terminaleve të Doganës së Kosovës.
Dhjetë terminalet për zhdoganim, sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë të vendosura në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë: Prishtinën, Hanin e Elezit, Pejën, Mitrovicën e Jugut, Gjilanin, Prizrenin dhe Ferizajn.
Më i madhi prej tyre është në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, ku, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, zhdoganohen 60 për qind e mallrave që importohen.
“Edhe shoferët kanë orar”
Afati prej tri orësh është “absurd” edhe për Ilir Saqipin, pronar i një kompanie në Preshevë – pjesa jugore e Serbisë – që po ashtu transporton mallra në Kosovë.
“Kur hyn në Kosovë, për shembull, kamioni futet në pikën kufitare te Dheu i Bardhë dhe duhet të shkojë në terminalin doganor në Pejë. Është problem të arrihet atje për tri orë, sepse mund të ndodhë të ketë ndonjë aksident në rrugë, pëlcet ndonjë gomë, ka kolonë…”, thotë Saqipi.
Pika kufitare me Serbinë, Dheu i Bardhë, gjendet në Komunën e Gjilanit, në juglindje të Kosovës, dhe është mbi 130 kilometra larg qytetit të Pejës, që gjendet në veriperëndim të Kosovës.
Arben Gashi, pronar i një kompanie nga Prishtina, ndan hallin e njëjtë me kolegët e vendeve fqinje.
Ai thotë se shoferët, shumë shpesh, detyrohen ta bëjnë pauzën para se të hyjnë në Kosovë, në mënyrë që të mos vonohen në terminal të zhdoganimit.
“Edhe shoferët kanë orar të punës sikurse punëtorët tjerë”.
“Nëse ka ndonjë problem eventual, patjetër duhet të lajmërohet dogana. Në të kundërtën, gjobitësh”, thotë Gashi.
Besim Berisha, kryetar i Shoqatës së Transportueseve të Mallrave, që funksionon në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se “jo rrallëherë paraqiten raste kur transportuesit nuk arrijnë me kohë në terminal”, por nuk specifikon më shumë në lidhje me gjobat e shqiptuara.
Ai thotë se shoqata që drejton, së shpejti, do të bëjë kërkesë zyrtare tek institucionet kompetente që koha transitore e mallit të zgjatet edhe për një orë, përkatësisht në katër orë.
Sipas tij, kjo periudhë do t’i eliminonte problemet e pretenduara të operatorëve ekonomikë.
Në rast vonese, 500 euro gjobë
Dogana e Kosovës lejon që zhdoganimi të bëhet në terminalin më të afërt nga pika e hyrjes në Kosovë, ose në terminalin më të afërt me selinë ku është e regjistruar kompania.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, thotë se nëse operatorët ekonomikë nuk e respektojnë afatin prej tri orësh për arritjen nga pika kufitare në terminalin e zhdoganimit, një gjë e tillë konsiderohet shkelje. Por, nëse shoferët i paralajmërojnë vonesat dhe ato janë të arsyeshme, gjobat nuk aplikohen, sipas tij.
Me Kodin Doganor, gjobat për këto raste janë 500 euro.
Stavileci thotë se rastet e gjobitjes janë të rralla, sepse operatorët ekonomikë i lajmërojnë vonesat.
Sipas Doganës, afati prej tri orësh, i paraparë me një udhëzim administrativ, “është i mjaftueshëm” dhe në rast se kamionët nuk kanë ndonjë defekt, dërgesat mund të arrijnë në cilindo terminal nga cilado pikë kufitare.
Zyrtarë të Doganës nuk japin ndonjë përgjigje për arsyet e këtij afati kohor, që zbatohet prej vitesh, por ish-drejtori i këtij institucioni, Naim Huruglica, thotë se kjo kohë e rrit sigurinë e qarkullimit të mallrave.
“Po e marr një shembull se ku mund të jetë rreziku… Dikush, ndoshta, ka deklaruar se ka një mall të lirë, material ndërtimor, por në realitet ka fshehur diçka brenda, dhe nëse nuk lajmërohet ose zhduket brenda tri orësh, ekziston dyshimi se ai është ndalur në ndonjë vend për ta ndërruar atë mall, ose për ta shkarkuar, ose për të bërë diçka”, thotë Huruglica për REL-in.
Për këtë arsye, thotë Huruglica, ankesat e pronarëve të kompanive transportuese janë të padrejta, pasi, kujton ai, ata kanë të drejtë ta zgjedhin terminalin më të afërt.
Madje, sipas tij, me gjendjen aktuale të rrugëve të Kosovës, treorëshi është afat optimal për të arritur në cilindo terminal.
“Fakti që Dogana e ka limituar këtë në tri orë, ka synim që shoferëve të kamionëve të mos u lejohet devijimi i rrugës, apo të ndalen pa arsye… vetëm nëse ka ndonjë prishje ose diçka tjetër”, thotë Huruglica.
Kosova importon shumicën e produkteve nga vendet fqinje ose ato të Bashkimit Evropian.
Në vitin 2022, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave në vend, Kosova ka importuar produkte në vlerë mbi 5 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar produkte në vlerë prej afër 1 miliard eurosh.