Një rast i rëndë ndodhi në Prizren mesnatën e 17 tetorit.
Një grua dhe vajza e saj e mitur, u gjetën me lëndime të rënda trupore pas një sulmi me thikë brenda banesës së tyre, në rrugën “Rexhep Kabashi”.
Rastin dyshohet ta ketë kryer partneri i gruas.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, gruaja është gjetur e gjakosur në rrugë, ndërsa vajza e mitur është gjetur në katin e fundit të ndërtesës ku ndodhi rasti.
“Në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit”.
Nga Spitali në Prizren, mjeku Hekuran Veçgishti bëri të ditur se gjendja e viktimave është e rëndë dhe se trajtimin janë duke e vazhduar në mjekimin intensiv.
“Në ora 00:45 në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren janë pranuar dy pacientë si pasojë e therjes me thikë. Plagë kanë pas në disa pjesë të ndryshme të trupit, janë kryer ekzaminimet e nevojshme ato radiologjike, pastaj në konsultë me kirurgët kujdestarë, pacientët janë pranuar në spital për trajtim të mëtejmë kirurgjik. Pra ato tani vazhdojnë trajtimin në Klinikën intensive të spitalit tonë2.
Ndërsa zëdhënësi i policisë Shaqir Bytyqi tha që i dyshuari tashmë është në ndalim policor.
“Policia së bashku me stacionin policor të Prizrenit dhe bashkë me … janë duke mbledh provat dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes edhe nga dëshmitarët okularë dhe në bashkëpunim me prokurorin e shtetit janë duke hetuar rastin si ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i armës’”.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar që për të dyshuarin, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas Prokurorisë, aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.