Dy persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e therjes me thikë në lagjen Kalabria në Prishtinë.
Zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se rreth orës 13:00, kanë pranuar informacionin për një përleshje në mes të disa personave në lagjen Kalabria.
“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë lëndime nga arma e ftohët (thika). Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, të cilat kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit i cili më pas është paraqitur në polici”, ka thënë Borovci për teve1.info
Ai shtoi se aktualisht në koordinim me prokurorin e shtetit po vazhdon puna policore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.