Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, beson që gjyqtarët në Gjykatën Speciale tashmë e kanë parë dhe dëgjuar të vërtetën lidhur me akuzat ndaj tij, ndërsa pret vendimin përfundimtar pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur rreth gjashtë vjet.
Në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, Thaçi ka shprehur shqetësimin se gjykimi mund të ndikojë në perceptimin e historisë së Kosovës, por ka theksuar se ngjarjet e viteve ’90 janë të dokumentuara dhe nuk mund të shtrembërohen përmes interpretimeve.
Ai ka kundërshtuar përdorimin e provave të prodhuara gjatë regjimit të Slobodan Milosheviq duke paralajmëruar se pranimi i tyre do të krijonte precedent të rrezikshëm edhe për konflikte të tjera.
Sipas tij, lufta e Kosovës ishte për ekzistencë dhe nuk duhet të përdoret për rishkrim të historisë.
Duke folur për rolin e NATO, Thaçi ka theksuar se ndërhyrja e vitit 1999 u bazua në mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut, duke shtuar se pa rezistencën e popullit të Kosovës dhe ndërhyrjen ndërkombëtare, vendi nuk do të ekzistonte sot.
Ai është shprehur se kishte pritur që procesi gjyqësor të fokusohej kryesisht në raportin e Dick Marty, ndërsa ka theksuar se shpreson që gjykimi të kontribuojë në të vërtetën dhe drejtësinë.
Në fund, Thaçi ka deklaruar se ndonëse e konsideron të përmbushur karrierën e tij politike, ai mbetet i interesuar për zhvillimet politike në vend, duke theksuar se interesat e qytetarëve duhet të vendosen mbi ato partiake dhe se ruajtja e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë është thelbësore për Kosovën.




