Jovan Viçentijeviq, i graduar me titullin toger në Ushtrinë e Serbisë, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës si personi kyç në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit” në fshatin Varagë të Zubin Potokut, i cili ndodhi në nëntor të vitit të kaluar.
Në këtë rast, ai akuzohet të ketë vepruar së bashku me vëllain e tij, Dragishën, dhe Igor Dimoviqin.
Si u realizua sulmi?
Sipas aktakuzës të siguruar nga Tëvë1, tre të pandehurit dyshohen për vendosjen e rreth 20 kilogramëve eksploziv të llojit ushtarak TNT në brendësi të kanalit të “Ibër Lepencit”, përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni.
Shpërthimi i shkaktuar, sipas Prokurorisë, ka dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për disa komuna veriore e qendrore, si dhe ka rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës. Dëmi financiar është vlerësuar në 376,774 euro.
Sipas AKF-së, dhe interpretimit të bërë të miksturës nga Italia të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka konstatuar se i pandehuri Jovan Viçentijeviq ka qenë në në kontakt të drejtpërdrejtë me dëshminë se ka të bëjë me ndezjen e fitilit me ngjyrë të zezë me rreth 9,20 metra gjatësi, ku është gjetur në vendin e ngjarjes menjëherë pas sulmit terrorist.
Gjendja faktike e përshkruar si në aktakuzë vërtetohet edhe nga Raporti i ekspertimit gjeologjik i FBI.
Pas ekzaminimit të bërë nga ekspertët e FBI-së, në laboratorin e tyre në SHBA, ka rezultuar që mostrat e dheut të gjetura në çizmet e të pandehurve, janë identik me mostrat e dheut të marrë si mostër referente në vendin e ngjarjes pranë kanalit “Ibër Lepenc”.
“Gjendja faktike e përshkruar si në këtë aktakuzë vërtetohet qartazi edhe nga Raporti 1 ekspertimit gjeologjik i FBL, i dt.03.11.2025, me ru, ref: FBI/80-SP-C120 (ID e Rastit me nr.SP-2478001) i mostrave te DHEUT TË ÇIZMEVE te sekuestruara në shtëpinë e te pandehurve – vëllezërve Viçentijevis në Zubin Potok dhe në fshatin Previlak të po kësaj komune, më date. 30.11.2024, së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertet e Policisë së Kosovës dhe zyrtareve të Byrosë Federale e Hetimeve te SHBA-së ‘FBI’ te maria ne vendin e ngjarjes (fshati Varage, Zubin Potok tek kanali ‘Iber Lepenc’), pastaj në oborrin e shtepisë së të pandehurve në Zubin Potok si dhe te shtëpia e tyre në fshatin Prevllake, komuna Zubin Potok, nga të cilat mostra qartazi vërtetohet se në mes DHEUT të marr nga çizmet e të pandehurve dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin ‘Ibër Lepenc, nuk ka dallueshmëri, për sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes se dheut, ku vërteton se te pandehurit kanë kryer aktin terrorist ndaj kanalit”.
Sulmin, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.
I pandehuri Jovan Vicentijeviq duke e ditur se do mund të përballet me arrestimin e tij, i njëjti e ka ndërtuar alibinë në formën dhe mënyrën më perfide, duke besuar se provat e tjera përveç deklaratës nuk do të mund të siguroheshin siç janë siguruar ekspertiza ndërkombëtare e ADN-së dhe ajo e dhënë nga çizmet e dy të pandehurve Vicentijeviq, nga ana e ekspertëve të Policisë së Kosovës dhe aty e FBI-së.
Për më shumë, se i pandehuri Jovan Vicentijeviq, i ka kryer veprat penale argumentohen edhe nga tentimi i tij për tu arratisur, me rastin e ndalimit të tij nga Policia e Kosovës, ku i njëjti kishte tentuar të fshihej në veturë, duke u munduar të mos shihej duke ulur kokën dhe se njëjti pasi ishte vërejtur nga policia kishte prezantuar rrejshëm në emër të një “Zorani”. Ky fakt vërtetohet veçanërisht nga shënimi zyrtar i Policiti Astrit Ahma, nga NNNSH – Perëndimi Gjakovë, raporti zyrtar i dt. 01.12.2024, Info, me shifër DP-2.
Arsenal ushtarak i gjetur gjatë bastisjeve
Gjatë kontrolleve në shtëpitë e vëllezërve Viçentijeviq, Prokuroria thotë se janë sekuestruar armë dhe pajisje të shumta ushtarake: kallashnikovë AK-47, granata dore BRM-75, “zolla”, mbi 800 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikatorë të shumtë, thika luftarake, pajisje të komunikimit ushtarak, uniforma të ushtrive të Serbisë, Rusisë dhe vendeve tjera, si dhe mjete të tjera të ndaluara me ligj.
Prokuroria: Viçentijeviq vepronte për Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë
Sipas Prokurorisë Speciale, Jovan Viçentijeviq rezulton të jetë pjesë e Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë (toger), duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara në territorin e Kosovës. Ndër provat e përmendura nga Prokuroria është edhe një dokument sekret 66-faqësh i KFOR-it, të cilin ai dyshohet ta ketë siguruar në mënyrë të paligjshme.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se ai ka monitoruar lëvizjet e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore në Jasenovik dhe ka mbledhur materiale me potencial për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në mesin e provave që dëshmojnë veprimtarinë e spiunazhit të Viçentijeviqit është edhe një dokument i klasifikuar sekret nga KFOR-i. Ky dokument 66-faqësh konfirmon veprimtarinë e spiunazhit të Viçentijeviqit.
“Në kuadër të dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në teren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve Amerikan të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore te Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut, e në veçanti i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale.




