Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy të rinj nga Berati, pasi akuzohen se kanë tentuar që të trafikojnë një të mitur nga Durrësi në Kosovë.
Sipas njoftimit, E.G. 22 vjeçar është arrestuar nën dyshim për “trafikim të miturve”, ndërsa A.K. 18-vjeçar po ashtu nga Berati dyshohet për “moskallëzim të krimit”.
Po ashtu bëhet e ditur se ditën e djeshme, familjarët e 14-vjeçares, kanë denoncuar largminin e të miturës nga shtëpia.
“Tentoi të kalonte në kufi, një shtetase të mitur, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë, arrestohet në flagrancë 22-vjeçari. Arrestohet dhe pasagjeri në automjetin e 22-vjeçarit, për moskallëzim të krimit. Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë ndaluar në dalje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin E. G., 22 vjeç, i cili udhëtonte me shtetasin A. K., 18 vjeç, dhe me një shtetase 14 vjeçe.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. G. po tentonte ta kalonte në kufi, 14-vjeçaren, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme arrestuan në flagrancë shtetasit: E. G., 22 vjeç, banues në Berat, për veprën penale”Trafikimi i të miturve”; A. K., 18 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Më datë 28.09.2025, në DVP Durrës, kanë kallëzuar familjarët e 14-vjeçares, për largimin e saj nga banesa. Vijojnë hetimet për rastin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.