Telekomi i Kosovës, ka kundërshtuar vendimin aktvendimin e Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë, që lidhet me kontestin e dalë nga Vendimi i Arbitrazhit i vitit 2016 i zhvilluar në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon/Zmobile.
Sipas një komunikate të këtij institucioni, vendimi të cilën e kanë pranuar më 16.02.2024, është në kundërshtim me faktet dhe vendimet paraprake të gjykatave.
Në një komunikatë për media thuhet se vendimi lë “në fuqi urdhri përmbarimor, i lëshuar në vitin 2019, i cili e hap rrugën për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë € të tjera”, përcjell teve1.info
Sipas Telekomit Aktvendimi ka elemente kriminale për të cilat ata kanë dhënë “disa arsye”
“Ne jemi të bindur se ky Aktvendim, përveç që është i jashtëligjshëm, ka dhe elemente të qarta kriminale, nëpërmjet të cilave synohet t’i bëhet një dëm i pariparueshëm Telekomit të Kosovës.Gjatë kohë që Telekomi i Kosovës po e priste ftesën për mbajtjen e seancës përgatitore dhe për zgjedhjen e institucionit që do ta bënte ekspertizën financiare, sipas direktivave të Dhomave të Shkallës së Dytë, siç kërkohet nga neni 199 i LPK-së, me datën 16.02.2024, e pranuam Aktvendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, i marrë në të njëjtën ditë dhe në mënyrë tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes, pa u mbajtur asnjë seancë ku palët do të mund t’i paraqitnin pretendimet dhe provat e tyre dhe pa e caktuar fare ekspertizën financiare siç kërkohet në Vendimin e Shkallës së Dytë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Me datë 16.02.2024, Telekomi i Kosovës e ka pranuar aktvendimin e Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë, që lidhet me kontestin e dalë nga Vendimi i Arbitrazhit i vitit 2016 i zhvilluar në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon/Zmobile (me pronar Blerim Devolli).
Ky aktvendim, i marrë nga gjykatësi Hasan Kryeziu, është tërësisht antiligjor, i padrejtë, në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike, në kundërshtim të plotë me provat e pakontestueshme, dhe më keq, në kundërshtim të plotë me vendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë pranë të njëjtës Gjykatë, i marrë me 30.11.2023, dhe një mos respektim i plotë i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Dhoma e Shkallës së Dytë pranë Gjykatës Komerciale, i ka kthyer tri herë në rigjykim vendimet e Dhomës së Shkallës së Parë për të njëjtin rast, si pasojë e shkeljes së dispozitave ligjore dhe shkeljes së të drejtave materiale të palës debitor (Telekomit të Kosovës).
Vendimi i 30.11.2023, në paragrafin e parafundit të faqes së 5-të, kërkon nga Dhoma e Shkallës së Parë që për rigjykim të angazhojë ndonjë institucion ose kompani të licencuar të auditimit, me qëllim që ta hartojë ekspertizën financiare e cila do t’i definojë obligimet e sakta të palëve.
Po ashtu, në paragrafin e parafundit të faqes së 6-të të vendimit të Shkallës së Dytë, nga Shkalla e Parë kërkohet të veprojë në përputhje me Nenin 199 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore.
Citim, Neni 199: Gjykata e çështjes e ka për detyrë që, pasi t’i arrijë aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, menjëherë ta caktojë seancën përgatitore apo seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes, e cila duhet të mbahet më së voni tridhjetë (30) ditë pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj.
Gjatë kohë që Telekomi i Kosovës po e priste ftesën për mbajtjen e seancës përgatitore dhe për zgjedhjen e institucionit që do ta bënte ekspertizën financiare, sipas direktivave të Dhomave të Shkallës së Dytë, siç kërkohet nga neni 199 i LPK-së, me datën 16.02.2024, e pranuam Aktvendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, i marrë në të njëjtën ditë dhe në mënyrë tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes, pa u mbajtur asnjë seancë ku palët do të mund t’i paraqitnin pretendimet dhe provat e tyre dhe pa e caktuar fare ekspertizën financiare siç kërkohet në Vendimin e Shkallës së Dytë.
Nëpërmjet këtij aktvendimi, lihet në fuqi urdhri përmbarimor, i lëshuar në vitin 2019, i cili e hap rrugën për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë € të tjera.
Në ndërkohë, me të gjitha provat dhe faktet e paraqitura në Gjykatë, është vërtetuar se Telekomi i Kosovës e ka paguar shumën prej mbi 40 milionë € në emër të vendimit të Arbitrazhit, ndonëse obligimi nga Vendimi i Arbitrazhit ishte për rreth 27 milionë €. Kështu, deri tani Telekomi i Kosovës, në mënyrë të dhunshme, është detyruar të paguajë mbi 13 milionë € më tepër. Sipas aktvendimit në fjalë, plaçkitja e shumës prej 5.7 milionë € rezulton të jetë një pagesë e tepërt, mbi 19 milionë € më e lartë se shuma e obliguar sipas Vendimit të Arbitrazhit.
Të gjitha këto pagesa të tepërta janë bërë si pasojë e vendimeve të gabuara të Gjykatave si dhe kthimeve të njëpasnjëshme në rigjykim të kësaj çështje; deri dhe në Gjykatën Kushtetuese.
Ne jemi të bindur se ky Aktvendim, përveç që është i jashtëligjshëm, ka dhe elemente të qarta kriminale, nëpërmjet të cilave synohet t’i bëhet një dëm i pariparueshëm Telekomit të Kosovës. Arsyet po i paraqesim në vijim:
Ndonëse ndaj këtij aktvendimi mund të bëhet ankesë në Shkallën e Dytë të Gjykatës, kjo nuk mund ta ndalë ekzekutimin e tij. Kësisoj shkaktohet një dëm i pariparueshëm.
Ekzekutimi i këtij aktvendimi nënkupton që paratë nga llogaritë bankare të Telekomit të kalojnë në llogaritë bankare të Dardafon.
Dihet publikisht fakti se kompania Dardafon është e regjistruar si biznes SHPK dhe nuk operon që nga viti 2019. Kjo kompani nuk ka asnjë pronë të luajtshme e as të paluajtshme, gjë që mund të vërtetohet lehtë nëpërmjet verifikimit të llogarive të saj bankare, deklarimeve të saj në ATK dhe në regjistrin e pronave (kadastër). Prandaj dhe dëmi është i pariparueshëm.
Paratë e Telekomit, që do të derdhen në llogaritë bankare të Dardafon, mund të transferohen menjëherë jashtë vendit.
Pas rigjykimit të çështjes në Shkallën e Dytë, pas ankesës, nuk kemi asnjë dyshim që vendimi do të jetë në favor të Telekomit, sepse nuk ka si të jetë ndryshe, pasi që ne kemi një vendim të Shkallës së Dytë, që urdhëron për ekspertizë financiare. Pikërisht mohimi i ekspertizës financiare nga gjyqtari i rastit është çështja kyçe e kësaj konference te jashtëzakonshme.
Gjyqtari i rastit në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga aribtrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë € më tepër. Për këtë mbipagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit. Prandaj themi se vetëm ekspertiza financiare e vendos drejtësinë në këtë çështje.
Ne besojmë fuqishëm që në rigjykimin e Shkallës së Dytë Dardafon do të detyrohet t’ia kthejë Telekomit paratë e tepërta të marra padrejtësisht.
Por atëherë do te jetë tepër vonë, sepse llogaritë e Dardafonit mund të jenë të zbrazura.
Pra, Telekomi do ta ketë në dorë vendimin e gjykatës, që i jep të drejtën e kthimit të parave, por paratë mund të jenë në posedim të fshehtë të pronarëve të Dardafon.
Nga kjo duket sikur bëhet fjalë për një skemë të organizuar, ku do të duket sikur askush nuk mund të jetë fajtor ligjërisht, por realisht do të këtë vetëm një palë të dëmtuar – Telekomi i Kosovës ose paraja publike.
Për ta parandaluar këtë skemë, Telekomi menjëherë ka marrë veprime në kuadër të mundësive që ka në dispozicion:
– Kemi njoftuar menjëherë organet më të larta të drejtësisë dhe kemi kërkuar që të ndërmerren veprime që kjo skemë të parandalohet.
– Kemi ngritur kallëzim penal ndaj gjykatësit të çështjes në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
– Kemi kërkuar nga Gjykata përjashtimin e Përmbaruesit të çështjes, për shkak të shkeljeve të evidentuara.
– Brenda afatit, do të dorëzohet kërkesa për pezullimin e përmbarimit, deri në sqarimin e rrethanave të marrjes së aktvendimit të jashtëligjshëm të Shkallës së Parë dhe deri në vendimin e Shkallës së Dytë.
– Brenda afatit ligjor, do të bëhet ankesë ndaj aktvendimit të Shkallës së Parë në Shkallën e Dytë të Gjykatës Komerciale.
Telekomi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet relevante që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për ta parandaluar këtë skemë kriminale që për qëllim ka grabitjen e mbi 5.7 milionë € nga paratë publike që u takojnë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës e jo grupeve kriminale.
Me këto veprime, përveç që pamundësohet plaçkitja e parasë publike, rritet besimi te institucionet e drejtësisë.
Telekomi i Kosovës e vë në dijeni opinionin dhe po ashtu palën kundërshtare të përfshirë në këtë proces se do të vazhdojë t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore për ta vazhduar këtë betejë të gjatë dhe të vështirë ligjore. Ne nuk do të lodhemi dhe nuk do të dorëzohemi asnjëherë, derisa e drejta të fitojë. Nëse është e nevojshme, këtë do ta bëjmë edhe në gjykatat relevante ndërkombëtare.
Telekomi i Kosovës është dëmtuar qindra miliona euro nga kontrata me këtë kompani, por nuk do të lejojmë me asnjë kusht që ky dëmtim të vazhdojë përmes proceseve gjyqësore nga gjykatës te caktuar brenda sistemit te drejtësisë.