Telekomi i Kosovës Sh.A. ka reaguar ndaj raportimeve të fundit mediatike lidhur me kontratat e realizuara përmes procedurës së negociuar pa publikim, duke theksuar se të gjitha procedurat e prokurimit publik zhvillohen në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës dhe janë të publikuara në platformën zyrtare të e-prokurimit.
Në sqarimin publik, Telekomi i Kosovës ka përmendur disa raportime mediatike të publikuara gjatë ditëve të fundit, ku janë ngritur pretendime për kontrata njëburimore dhe mungesë konkurrence. Sipas ndërmarrjes, përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim nuk përbën përjashtim të paligjshëm, por është i paraparë shprehimisht me Nenin 35 të Ligjit Nr. 04/L-042, kur ekzistojnë arsye objektive teknike, teknologjike apo të të drejtave ekskluzive, ose kur nuk ka alternativë reale konkurruese.
Telekomi sqaron se këto kontrata ndërlidhen kryesisht me ndërhyrje funksionale në sisteme ekzistuese kritike, si platformat e faturimit (billing), integrime teknike dhe plotësime të sistemeve që kërkojnë njohuri specifike të arkitekturës dhe respektim të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe garancive ekzistuese.
“Angazhimi i operatorëve të tjerë ekonomikë në këto raste është teknikisht i pamundur dhe do të rrezikonte funksionimin e pandërprerë të shërbimeve për konsumatorët, gjë që do të ishte në kundërshtim me interesin publik”, thuhet në sqarim.
Sa i përket pretendimeve për eliminim të konkurrencës, Telekomi i Kosovës thekson se konkurrenca në këto raste nuk ekziston realisht në treg, për shkak të natyrës së shërbimeve dhe teknologjisë së përdorur, duke nënvizuar se përdorimi i kësaj procedure nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri ligjore dhe teknike.
Ndërmarrja publike vlerëson se disa raportime mediatike, përmes gjuhës sugjestive dhe insinuatave, kanë tentuar të krijojnë dyshime të pabazuara në opinionin publik dhe institucionet e drejtësisë për gjoja keqpërdorime. Sipas Telekomit, të gjitha kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim janë të ligjshme, të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se, gjatë pesë viteve të fundit, ka ushtruar përgjegjësi të plotë institucionale dhe menaxheriale, duke mirëpritur dhe inkurajuar çdo institucion kompetent, përfshirë Prokurorinë, që të inspektojë çdo kontratë të lidhur përmes kësaj procedure.
“Ne jemi plotësisht transparentë, të hapur për verifikim dhe nuk kemi asgjë për të fshehur”, theksohet në reagim.
Në fund, Telekomi i Kosovës ka ritheksuar përkushtimin ndaj transparencës, respektimit rigoroz të ligjit, standardeve të qeverisjes korporative dhe etikës profesionale, si dhe ofrimit të shërbimeve të sigurta, cilësore dhe të pandërprera për të gjithë konsumatorët, duke prioritarizuar interesin publik.







