Ish- të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, kanë kërkuar që të nisin hetimet për këtë masakër dhe të ngritën aktakuzat qoftë edhe në mungesë.
Ata në emisionin “Këndi i Debatit”, kanë thënë se 24-vjet nga kjo masakër disa nga të mbijetuarit tashmë kanë vdekur dhe se kështu po humbin edhe dëshmitë.
Bislim Zogaj i mbijetuar i kësaj masakre, tha se përveç hetimeve shteti ka dështuar edhe në trajtimin e të mbijetuarve.
“Mendoj që të gjithë ata që kanë përjetuar këtë masakër dhe të tjera, nuk mund të mos e ndiejnë peshën se çfarë ka ndodhë atëherë dhe kam frikë se me kalimin e kohës veç po vijnë tu u shpreh ato”, tha ai.
Kërkesë për hetim e shqetësim për moskujdes ndaj të mbijetuarave të kësaj masakre pati edhe Gani Ahmetxhekaj, i mbijetuar poashtu i masakrës së Burgut të Dubravës.
“Disa nga shokët tanë kanë nisur me vdekur, prandaj është momenti i fundit. Paramendoni ta kishte Serbia këtë argument, çfarë na kishë ba në Këshill të Sigurimit s’na kish lënë mi qel sytë. Askush su mor me të mbijetuarit u injoruan, s’pat asnjë trajtim psikiatrik, rehabilitues. Të punohet për ngritje të një aktakuze qoftë edhe në mungesë”, tha ai.