Kampionia e Kosovës në futboll, Drita ka mbajtur konferencën për shtyp para ndeshjes së parë ndaj Steauas në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Në konferencën e mbajtur për shtyp, janë paraqitur trajneri Zekirija Ramadani dhe portiere Faton Maloku.
Dueli Steaua – Drita, zhvillohet të enjten prej orës 20:30 kurse ndeshja e kthimit pas një jave në Prishtinë.
Trajneri Ramadani ka folur për ndeshjen, duke shtuar se Drita është përgatitur mirë dhe gati për këtë përballje. Ai foli edhe për deklaratat e trajnerit të ekipit rumun dhe presidentit Gigi Becali.
“Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë kundër një kundërshtari të fortë, dhe nuk e kemi nënvlerësuar aspak krizën që përmendet se është e pranishme te FCSB. Deklarata e trajnerit të FCSB-së ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket deklaratës së presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll”, tha Ramadani.
Gjithashtu, Ramadani ka folur edhe për eliminimin e Steauas nga Shkëndija e Tetovës në raundin e dytë kualifikues të Championsit.
“Nuk jam aspak i befasuar, sepse vij pikërisht nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë kualitetin e Shkëndijës. E pamë gjithashtu që pati edhe fatin me vete, dhe e dimë që në sport edhe fati sportiv luan rol të rëndësishëm”, ka shtuar Ramadani.
Ndërkohë, portieri Maloku ka shprehur optimizimin e tij, duke thënë se është i bindur që nga kjo përballje do të dalin me rezultat pozitiv.
“E dimë shumë mirë kë kemi përballë, por jemi përgatitur mjaft mirë. Nëse i zbatojmë ato që na ka treguar trajneri, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje”, tha Maloku.