Pasi e nisi edicionin në Serie A me tri fitore radhazi, Juventusi ka rreshtuar katër barazime në të gjitha garat.
Juve të dielën nga ora 20:45 luan tjetër ndeshje të vështirë, derbin në shtëpi ndaj Milanit. Kjo ndeshje i takon xhiros së gjashtë.
Juve në këtë ndeshje hyn si një nga tri ekipet e vetme që nuk kanë pësuar ende disfatë. Juve e mban vendin e katërt me 11 pikë. Një pikë më shumë e ka Milani që është lider.
“Kuqezinjtë” në krahasim me “Zonjën e Vjetër” kanë pesë fitore radhazi në të gjitha garat. Milani në xhiron e parë u mposht 2:1 nga Cremonese
Juventusi është i pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit kundër Milanit, duke fituar tri herë dhe duke barazuar dy herë. Ndërkohë, “zonja e vjetër” nuk ka pranuar gol nga Milani në katër ndeshjet e fundit.
Goli i fundit i Milanit ndaj Juves është i Olivier Giroudit më 28 maj të vitit 2023.
Juve po ashtu nuk ka humbje në dhjetë ndeshjet e fundit në “Allianz Stadium”.
Të premten mediumet italiane kanë raportuar se sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, mund të jetë titullar ndaj Milanit, për herë të parë që prej transferimit nga Lille në verë.
Ndërkohë të dielën luan edhe kampioni Napoli. Nga ora 18:00 ballafaqohet me Genoan.
Napoli është në pozitën e dytë me 12 pikë. Genoa e zë vendin e parafundit me dy pikë.
Të shtunën nga ora 18:00, Interi luan me Cremonesen. Interi ka nëntë pikë në vendin e pestë. Nëntë pikë ka edhe Cremonese në pozitën e shtatë.