Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga partitë shqiptare opozitare, Arben Taravari, ka reaguar pas publikimit të zëdhënësit të Qeverisë, se plani 9 pikësh i OSBE-së,është bërë nga Bujar Osmani, në cilësinë e udhëheqësit të OSBE-së.
Taravari ka thënë është i shokuar si Osmani i ka bërë argatin Serbisë.
“Qeveria e Kosovës paska zbuluar dje se në fakt ky plan është shkruar nga vetë dora e Bujar Osmanit e jo nga ndërkombëtarët. Jam i shokuar të kuptoj se Osmani, si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit. Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës. Ai ka kërkuar poashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.Dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronjë që na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiçit në Banjskës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku”, ka shkuar ai në Facebook.
Taravari ka thënë se është mirë që Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, i cili tash është kandidat për president të Maqedonisë së Veriut.
“Fatmirësisht mendoj, qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, sepse po të ishte pranuar ai plan, bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë. Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, ka shkruar Taravari.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, të dielën ka deklaruar se ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është ai që ka hartuar planin 9 pikësh të OSBE-së për deeskalimin e situatës në veri.
Kryeziu është shprehur se ky është një rast tjetër kur “shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë”