Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vend.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Orav për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë shërbimit në Kosovë, duke vlerësuar rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.
Presidentja Osmani theksoi se Bashkimi Evropian mbetet partner kyç për Kosovën dhe se integrimi evropian mbetet objektiv strategjik i Republikës së Kosovës.
Në takim u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe BE-së për avancimin e reformave demokratike, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.







