Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën plenare ka kritikuar qeverinë duke thënë se ajo po synon të krijojë bllokadë institucionale, në vend që të ofrojë zgjidhje për vendin.
Sipas tij, ekziston një tendencë që të normalizohet funksionimi i institucioneve me një qeveri në detyrë, gjë që ai e konsideron shqetësuese për zhvillimin politik dhe institucional të Kosovës.
Tahiri gjithashtu bëri thirrje që programi politik të sillet sa më shpejt në Kuvend, në mënyrë që të ketë qartësi për drejtimin e qeverisjes dhe për të shmangur thellimin e krizës aktuale.
“Nesër bëhen dy muaj prej kur ky Kuvend e ka votuar Qeverinë e Kosovës. Përderisa na kanë mbetur edhe 17 ditë deri te shpërndarja e këtij parlamenti. Ajo që do të ishte një konkluzion i përbashkët është se kjo qeveri e ka bllokuar Kosovën prej prodhimit të krizave të njëpasnjëshme. A ka logjikë që 17 ditë i kanë mbetur këtij kuvendi të arrijë marrëveshjen për presidentit dhe… e shoh bukur problematike situatën kur krizat janë mbiemri i kësaj qeverie”, ka thënë ai.







