Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova po kalon nëpër një krizë, që është një ndër më të thellat, si në rrafshin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm, e po ashtu edhe në aspektin ekonomik.
Ai tha se ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit dhe se sektori privat është duke u ballafaquar me vështirësitë më të mëdha që i ka pasur në dhjetë vitet e fundit.
“Problemet e shkaktuara nga Qeveria me mos investime kapitale, tash e tri vjet, pra me mos shfrytëzimin e më shumë se 1 miliard euro për t’i futur në qarkullim, politikat ekstremisht të gabuara fiskale, tatimore dhe mosthithja e investimeve të huaja, është kah e rrezikon secilin investim në sektorin privat.
Sektori privat në Kosovë është duke hyrë në një periudhë kohore shumë të padefinuar, është në mjegull dhe në rrezik të ekzistencës së tyre. Është tejet e rëndësishme që Qeveria të ulet e të bisedojë me sektorin privat se si të dilet nga kjo krizë, e cila e ka prek secilin aktivitet të biznesit të vogël, të mesëm dhe të korporatave”, ka thënë ai.
Tutje, Tahiri tha se para se të bëhet vonë e të kemi një kolaps të sistemit të ekonomisë në vend, Qeveria duhet të veprojë.