Ambasadori i BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Bashkimi Europian është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në tranzicionin energjetik dhe në bërjen e sistemit të qëndrueshem energjetik.
Ai këto deklarata i bëri në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes financiare midis Kosovës dhe BE-së, në të cilën po marrin pjesë, zv.kryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli.
“Marrëveshja vetëm se është nënshkuar nga përfaqësuesit e komisionit europian në Bruksel dhe unë nuk kam qenë në gjendje të nënshkruaj asgjë sot, sidoqoftë jam shumë i kënaqur që jam sot këtu që të jem dëshmitar i nënshkrimit të kësaj marrëveshje ku BE-ja i ofron 75 milionë euro që Kosova të tejkalojë krizën energjetike”, tha ai.
Tutje ambasadori Szunyog, tha se paketa energjetike e Kosovës paraqet grupet më të cënueshme të shoqërisë të bizneseve.
“Paketa energjetike e Kosovës paraqet grupet më të cënueshme të shoqërisë të bizneseve, më së pari është ndihmë financiare e të gjithë amvisërive. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në tranzicionin energjetik dhe të implementojmë strategjitë energjetike dhe të bëjme sistemin energjetik të Kosovës të qëndrueshëm, por gjithashtu edhe më të gjelbërt”, shtoi ai./teve1.info./