Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se lirimi në procedurë të rregullt i tre policëve të Kosovës është vazhdim i lojërave të Serbisë.
Ai ka thënë se tre policët sot do vijnë në Kosovë.
“Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka përsëritur se ata janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, duke kryer “detyrën e tyre.
Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.