Inspektorati i Punës ka bërë të ditur se subjekti në të cilin të mërkurën një punëtor ndërroi jetë pas rrëzimit nga skelet ishte gjobitur dy herë për shkak të mungesës së kushteve dhe sigurisë në punë.
Sipas inspektoratit, këtij subjekti i ishte shqiptuar gjobë dhe i ishte pezulluar puna, i cili nuk kishte respektuar vendimin dhe kishte vazhduar me punën.
Siç thuhet në komunikatë, pas këtij veprimi inspektorati kishte gjobitur përsëri subjektin e njëjtë.
“Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi ligjor, subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit, për çka i ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër .Ky rast tregon edhe njëherë rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës dhe të standardeve ligjore për siguri në punë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve. Inspektorati Qendror i Punës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ndriçimin e plotë të rastit, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente të hetuesisë për përgjegjësitë ligjore të subjektit”, thuhet në reagim.
Vdiq një punëtor pasi ra nga skelet e një ndërtese në Prizren
 
			






