Kanë përfunduar dy sfidat e fundit të xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës në futboll. Dukagjini – Drenica dhe Trepça ’89 – Ferizaji ishin dy takimet që u zhvilluan sot me fillim nga ora 15:00.
Skuadra e Drenicës e ka thelluar edhe më tej krizën e Dukagjinit, ekip qe ende nuk di për fitore këtë edicion në Superligën e Kosovës.
Dukagjini është mposhtu në shtëpi nga kuqezinjët me rezultatin 2:1. Për ekipin klinas Dukagjinin, kjo është humbja e pestë këtë edicion karshi dy barazimeve, që e mbanë në pozitën e fundit në tabelë me vetëm dy pikë të tubuara.
Bintsouka Koxy (13’) dhe Altin Vojvoda (39’) shënuan golat për Drenicën pas kundërsulmeve të shpejta, ndërsa Dukagjini shënoi vetëm një gol në pjesën e dytë që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Sulmuesi Otto John (50’) shënoi nga penalltia. Dukagjini në minutën e gjashtë të kohës shtesë qëlloi shtyllën me anë të kapitenit Altin Merlaku.
Me këtë fitore, që është e dyta këtë edicion, Drenica ngrihet në kuotën e tetë pikëve. Ndërkaq, Dukagjini zë vendin e fundit me dy pikë të grumbulluara.
Kurse në sfidën tjetër e cila u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, mes Trepçës ’89 dhe Ferizajit, përfundoi me shifra të barabarta 1:1.
Futbollistët e Ferizajt nuk e patën forcën për ta ruajtur deri në fund të ndeshjes epërsinë e krijuar në minutën e 80-të ndaj Trepçës ’89.
Ndeshja u mbyll në fund baras 1:1, me golin që Armend Gashi në minutën e parë të kohës shtesë të ndeshjes së luajtur të enjten në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.
Gashi shpëtoi ekipin e tij nga disfata duke shënuar gol pas harkimit të Samir Sahitit nga goditja e lirë dhe tollovisë së krijuar para portës së Ferizajt. Golin e epërsisë Ferizaj e shënoi në minutën e 80-të nëpërmjet Drilon Sadikut.
Ai mori top nga Ramush Ramadani dhe pasi kaloi portierin e ekipit vendas, realizoi në portën e zbrazët. Ferizaj zë vendin e shtatë pas shtatë xhirove me shtatë pikë të fituara, ndërsa një pozitë më poshtë me një pikë dhe një ndeshje më pak është Trepça ’89.