Profesori dhe analisti politik Nexhmedin Spahiu ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovo, pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Spahiu tha se përplasja ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Osmani e ka inkurajuar opozitën, por sipas tij ajo nuk duhet të entuziazmohet shumë.
“Fakti që tani doli në shesh konflikti i Albin Kurtit me Vjosa Osmanin e ka inkurajuar së tepërmi opozitën, por nuk duhet të inkurajohet kaq shumë sepse mund edhe të digjet. Zgjedhjet janë gjithmonë ‘telhyqe’ për të gjithë, si për Kurtin ashtu edhe për opozitën”, ka thënë Spahiu.
Ai theksoi se vendi nuk duhet të nxitojë drejt zgjedhjeve të reja dhe se kriza aktuale politike duhet të zgjidhet përmes pjekurisë politike dhe kompromisit mes palëve.
“Unë i kam sugjeruar publikisht kryeministrit që të mos vijë në situatën ku zgjedhjet i ka të garantuara, kur e ka një qeveri të zgjedhur me 51 për qind të votave. Pse të shkohet në zgjedhje, kur mund t’i ofrohet njërit prej dy liderëve të opozitës posti i presidentit dhe të vazhdohet tutje?”, ka deklaruar Spahiu.
Sipas tij, liderët e opozitës nuk kanë treguar gatishmëri për ta propozuar veten për këtë post.
“Ata janë treguar shumë qyqanë, sepse asnjëri nga liderët e opozitës nuk e ka propozuar veten”, është shprehur ai.
Duke komentuar edhe ftesën e kryeministrit Kurti për takime me opozitën gjatë kësaj jave, Spahiu tha se kjo mund të jetë një përpjekje për të korrigjuar gabimet e bëra më herët.
“Me këtë thirrje të opozitës në takim, Kurti e ka parë që ka bërë gabim dhe i ka rënë pishman. E ka parë që është djegur dhe po përpiqet ta përmirësojë gabimin e vet. Por tashmë shumëçka është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të lërë hapësirë për zgjidhje politike ose mund ta çojë vendin në zgjedhje”, ka thënë Spahiu.







